Sulmuesit e zaifët

Për dallim nga vendet e rajonit, sulmuesit në futbollin kosovar po flenë. Nga 24 xhiro të zhvilluara deri tash, golashënuesit më të mirë të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll janë Atdhe Gashi, Berat Hyseni e Florim Bërbatovci, të cilët kanë realizuar nga 11 gola.
Nëse e pjesëtojmë këtë shifër, atëherë del se mesfushori i Vëllaznimit, sulmuesi i Trepçës ’89 dhe sulmuesi i Hysit kanë shënuar më pak se 0,5 gola për ndeshje, një mesatare kjo mjaft e varfër. Trajneri kosovar, Gani Sejdiu mendon se kjo ecuri e varfër e sezonit të sulmuesve mund të jetë rezultat i moskoordinimit të ekipeve dhe mungesës së topave për sulmuesit.
“Kjo krizë e sulmuesve mund të jetë pasojë e faktit se është duke u varfëruar në përgjithësi kampionati. Mesfushorët nuk janë kreativë në përgjithësi, nuk janë aktivë, prandaj, nga ajo që kam parë, mungon kreativiteti dhe filozofia tek ekipet. Lojtarët nuk kanë imagjinatë, nuk kanë ide të ndërtimit të aksioneve, iu mungon inteligjenca e lojës”, deklaroi trajneri mitrovicas.
- “Kjo ndikon direkt te golashënuesit, pasi që janë pjesë e një loje pa koncept. Kur nuk ndërtohet mirë aksioni dhe kur nuk kanë topa dhe nuk u krijohen hapësira, nuk mund ta gjejnë golin. Ky fakt është shqetësues, sepse në Kosovë sulmuesit shënojnë 100 për qind më pak gola. Është për t’u brengosur, sepse po ikin lojtarët si Elvis Osmani, Enis Fetahu etj, që janë në fund të karrierës”, vazhdoi Sejdiu, i cili pret që sulmuesit si Rexha, Bërbatovci, Sejdiu e Hyseni, të jenë më të shkathtë në xhirot e ardhshme.
Ndërkaq, trajneri Hysni Maxhuni mendon se ngarkesa e madhe e ekipeve për të mbetur në ligë, bën që ato të aplikojnë më shumë lojë defanzive, prandaj edhe shënohen më pak gola.
“Të gjitha ekipet tona po luajnë me një sistem mbrojtjeje, më shumë sesa në sulm. Synim i tyre është që të mos marrin gol, e ndërkohë nëse munden të shënojnë, atëherë mirë. Me një sistem të tillë të lojës, nuk vjen në shprehje të shënojë gol një sulmues. Po ashtu, mungon përgatitja fizike e shumë ekipeve, nuk kanë fuqi 90 minuta të shënojnë. Ka edhe elemente të tjera si teknika individuale, e cila mungon te lojtarët, sepse vlerat i kemi në nivel amatorizmi”, shpjegon veterani i futbollit kosovar.
Maxhuni mendon se puna me top, po ashtu është e mangët në Kosovë dhe e sheh si mjaft domethënëse edhe anën financiare të klubit, e cila, sipas tij, mund të ndikojë edhe në disponimin e sulmuesve. Gjithashtu, ai i udhëzon klubet që të punojnë me lojtarët e rinj, për të nxjerrë futbollistë kualitativë, të cilët mund të shkëlqenin kur të kalojnë në ekipin senior.
Golashënuesit e ligave të rajonit Ndeshje Gola
Kevin Mirallas (Olympiakos) 23 25
Dare Vrsic (Olimpija Ljubljana) 26 24
Wesley (FC Vaslui) 23 22
Artem Rudnev (Lech Posen) 22 21
Filip Ivanovski (Vardar Skopje) 22 20
Darko Spalevic (FK Radnicki) 20 17
Eldin Adilovic (Zeljeznicar) 17 16
Fatos Beqiraj (Dinamo Zagreb) 23 16
Ianis Zicu (CSKA Sofia) 15 14
Roland Dervishi (Shkumbini Peqin) 18 14