Vëllaznimi kërkon fitore në tavolinë

Ndeshja e parë e xhiros së njëzetekatërt e Superligës së Kosovës në futboll, e zhvilluar të shtunën në Mitrovicë ndërmjet Trepçës dhe Vëllaznimit, përfundoi pa gola, me ç’rast të dyja ekipet fituan nga një pikë.
Mirëpo, pas ndeshjes gjakovarët kanë bërë kërkesë në Komisionin e Garave të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), që dueli ndaj mitrovicasve të regjistrohet me rezultat 0:3, në favor të tyre. Këtë kërkesë kuqezinjtë e kanë bërë duke u bazuar në faktin se Trepça e kishte inkuadruar në lojë Jetmir Behramin, edhe pse emri i tij nuk kishte figuruar fare në protokollin zyrtar të ndeshjes.
“Po, është e vërtetë se kemi kërkuar fitore në tavolinë nga Komisioni i Garave i FFK-së, sepse Trepça e ka inkuadruar në lojë lojtarin me numër 17, Jetmir Behramin, ndërsa emri i tij nuk ka figuruar fare në protokoll”, ka deklaruar për Express, zyrtari i lartë i Vëllaznimit, Ahmet Morina.
“Sipas rregullores, në raste të tilla ndeshja regjistrohet me rezultat zyrtar, në disfavor të ekipit që e bënë një gjë të tillë”, shtoi ai.
Morina Beson se kërkesa e skuadrës së tij do të aprovohet nga shtëpia e futbollit kosovar. “Deri më tani Komisioni i Garave e ka kryer siç duhet punën e vet, andaj unë besoj se do të vazhdoj ashtu. Pra, besoj se do t’i mbroj rregulloret duke marr vendime në përputhje me to, me çka nënkuptohet se fitorja i takon Vëllaznimit”, u shpreh Morina.
Në anën tjetër, krerët e Trepçës kërkesën e Vëllaznimit e konsiderojnë si të padrejtë. “Ata janë në luftë për titull dhe u nevojiten shumë pikët, dhe në çdo mënyrë mundohen t’i fitojnë ato”, tha sekretari i gjelbërezinjve, Hajrullah Haxhiu.
“Është e vërtetë se ka ndodhur një gabim për shkak të problemeve me rrymë. Në fakt, është shtypur protokolli dhe është shpërndarë. Por, ai protokoll është përmirësuar para fillimit të ndeshjes, dhe në protokollin e fundit ka figuruar emri i Jetmir Behramit. Atë protokoll e posedojnë edhe personat zyrtarë të ndeshjes të FFK-së”, shtoi Haxhiu, e cili kritikoi Vëllaznimin.
“Ata kishin ardhur në Mitrovicë që ndeshjen ta fitojnë në tavolinë. Personi zyrtar i Vëllaznimit, Blerim Vula para nisjes së takimit tha se do të kërkojë fitore në tavolinë, pasi sipas tij, Shpëtim Babaj nuk ka të drejtë loje, për shkak të kartonëve. Ai i ka pasur tre kartonë, por ka pasur të drejtë të zgjedhë cilin takim nuk dëshiron ta zhvillojë. E meqenëse kjo nuk u ndezi, tash mundohen të përfitojnë nga ky opsion tjetër, por jam i bindur se nuk Komisioni i Garave do të vendosë drejt, do ta hedhë poshtë atë kërkesë”, tha ai.
Kërkesën e gjakovarëve, Komisioni i Garave i FFK-së do ta shqyrtojë gjatë kësaj jave. Vëllaznimi është në luftë të rreptë për titull me 44 pikë, derisa Trepça po e kërkon mbijetesën pasi aktualisht i ka vetëm 27 pikë.