E Shtunë, 31 Tetor 2026

Super Hamilton

Lewis Hamilton fitoi garën për Shpërblimin e Madh të Gjermanisë në Formula 1, në stil të jashtëzakonshëm. Ngasësi i McLarenit triumfoi në betejën e ashpër me Fernando Alonson nga Ferrari, që përfundoi i dyti dhe Mark Webberit në Red Bull, i treti. Kampioni dhe lideri aktual, Sebastian Vettel doli i katërti. Nga Express më 24 korrik 2011 në ora 17:47

Ngasësi i McLarenit, Lewis Hamilton shfaqi vozitje të shkëlqyeshme duke rrëmbyer fitoren e tij të dytë të sezonit në garën për Shpërblimin e Madh të Gjermanisë në Formula 1, pas betejës interesante me Fernando Alonson në Ferrari, i cili përfundoi i dyti, dhe Mark Webberit në Red Bull, që kompletoi podiumin në Nurburgring.

Kampioni në fuqi dhe lideri aktual i kampionatit, ngasësi tjetër i Red Bullit, Sebastian Vettel vuajti në garën e vendlindjes së tij duke përfunduar i katërti, rezultat që ndërpreu serinë prej 11 podiumeve të njëpasnjëshme.

Webber, i cili për herë të parë gjatë këtij sezoni udhëhoqi për një xhiro, kishte përcjellë kolegun e tij, Vettel duke fituar gjashtë prej nëntë garave këtë sezon, por të dy Red Bullat kësaj radhe u dominuan nga kampioni i vitit 2008, britaniku Hamilton.

“Nuk ka ndjenjë më të mirë se kur jeni në pozitën e duhur”, tha Hamilton pas garës. “Ne kurrë nuk kemi pritur të vijmë këtu dhe të jemi kaq të shpejtë dhe konkurrentë, por kjo ishte njëra prej garave më të mira që kam zhvilluar. Pak nga pak jam duke mësuar rreth paraqitjes së bolidit dhe është vërtetë e shkëlqyeshme për mua të jem në gjendje të bëj hapa përpara, andaj shpresoj të vazhdoj me këtë rrugë”, u shpreh ai.

Ishte një tjetër përballje epike që u ndez pas rrethit të dytë të pit-stopeve dhe që për herë të parë gjatë këtij sezoni nuk përfshinte Vettelin. Jashtë radhës së parë, për herë të parë pas 15 garave, kampioni menjëherë në kthesën e parë e humbi pozitën e tretë nga Alonso.

Edhe pse ai më pas e ktheu atë në xhiron e dytë pas një gabimi të Alonsos, gjermani e humbi sërish në xhiron e tetë, pasi spanjolli e tejkaloi nga brenda në kthesën e parë.

Dy xhiro më vonë Vettel bëri një gabim të rrallë duke u rrokullisur në pistë në kthesën 10 dhe humbi shtatë sekonda, por asnjë pozitë, sepse mbeti i treti.

Megjithatë, nga ai moment, Vettel nuk ishte në garë për fitore, pasi humbi edhe më tepër ritmin, ndërsa doli i katërti duke tejkaluar Massën nga pit-stopi në xhiron e fundit të garës. Para tij, u zhvillua një betejë e ashpër mes tre ngasësve të cilën e fitoi Hamilton para Alonsos dhe Webberit.

Adrian Sutil në Force India-Mercedes përfundoi i pesti, para dy ngasësve të Mercedesit, Nico Rosberg dhe Michael Schumacherit. Pikët e fundit i takuan japonezit Kamui Kobayashi në Sauber dhe rusit Vitaly Petrov në Renault, që përfunduan në pozitat nëntë dhe dhjetë.

Rezultatet e garës:

1 Lewis Hamilton1:37:30.334
2 Fernando Alonso+03.980 sek.
3 Mark Webber+09.788
4 Sebastian Vettel+:47.921
5 Felipe Massa+52.252
6 Adrian Sutil+01:26.208
7 Nico Rosberg + 1 xhiro
8 Michael Schumacher + 1 xhiro

Renditja e përgjithshme :

1 Sebastian Vettel216 pikë
2 Mark Webber139
3 Lewis Hamilton134
4 Fernando Alonso130
5 Jenson Button109
6 Felipe Massa62
7 Nico Rosberg46
8 Nick Heidfeld34

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›