Maqedonasit fyejnë shqiptarët
Kombëtarja e Shqipërisë nuk ka mundur të nxjerr më shumë sesa një barazim në miqësoren si mysafire e Maqedonisë, pasi takimi mes tyre, i zhvilluar të martën në Prilep, ka përfunduar pa gola.
Në këtë ndeshje, forcat në terren mes dy skuadrave ishin thuajse të barabarta. Sikurse maqedonasit, ashtu edhe kuqezinjtë, kanë krijuar mundësi për të shënuar gola, por kanë dështuar t’i konkretizojnë ato.
Në fakt, vendasit kanë shënuar një herë në portën kuq e zi në minutën e 36-të, por ky gol është anuluar, pasi Naumovski kishte shënuar nga pozita jashtë loje. Ndërkohë, gjatë pjesës së dytë ekipet kanë krijuar më pak raste të mira për shënim, në dallim prej pjesës së parë. Sidoqoftë, për kuqezinjtë rastin më të mirë gjatë kësaj pjesë-loje e ka pasur kapiteni Lorik Cana në minutën e 70-të, derisa për maqedonasit shans të mirë ka humbur në minutën e 80-të futbollisti shqiptar, Agim Ibrahimi.
Përveç Ibrahimit, i cili në lojë është inkuadruar gjatë pjesës së dytë, për përfaqësuesen maqedonase nga fillimi i ndeshjes janë paraqitur edhe tre lojtarë tjerë shqiptarë - Muhamed Demiri, Ferhan Hasani dhe Bajram Fetahu.
Ndërkohë, mediat në Tiranë kanë kritikuar nikoqirin e kësaj miqësoreje, Maqedoninë. Sipas tyre, Federata Shqiptare e Futbollit nuk është dashur të pranonte që skuadra e saj të luaj në Prilep, ku fusha nuk ishte në gjendje të mirë. Njëherësh, ato kanë kritikuar ekipin maqedonas për lojën e ashpër që kanë aplikuar. Ndërkohë, me theks të veçantë mediat shqiptare kanë kritikuar tifozët maqedonas, për thirrjet e tyre anti-shqiptare gjatë kësaj miqësore.
Kurse, mediat në Maqedoni kanë theksuar se ndër thirrje e shumta të tifozëve vendas ishin ‘Shqiptar i vdekur është shqiptar i mirë’, ‘Dhoma gazi për shqiptarët’, ‘Lufta për çlirim’, etj. Sipas tyre, pas ndeshjes futbollistët shqiptarë janë shprehur të zhgënjyer me pritjen aspak të mirë që ua kishin bërë tifozët maqedonas.
Sidoqoftë, ky ishte barazimi i tretë mes përfaqësueseve të këtyre dy vendeve fqinj, nga gjithsej tetë ndeshje të zhvilluara, prej të cilave maqedonasit i kanë fituar katër fitore, derisa shqiptarët vetëm një.
Edhe në këtë takim, Kombëtarja shqiptare ka luajtur pa selektor, por të udhëhequr nga përzgjedhësi i ekipit U-17, Dzemal Mustedanagic. Ky i fundit i ka udhëheq kuqezinjtë edhe në humbjen që e pësuan të premten e kaluar nga Azerbajxhani.