Super-Sadiku arrin kuotën e 9 golave

Armando Sadiku
Armando Sadiku po kalon një moment të jashtëzakonshëm te Lugano, edhe pse nuk mund të thuhet e njëjta gjë për skuadrën e tij. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka shënuar sërish gol dje, duke arritur në kuotën e nëntë të tillëve në 11 ndeshje. Megjithatë, skuadra e Sadikut nuk ka ditur ta ruajë avantazhin e krijuar nga shqiptari që në minutën e 24-t, pasi është përmbysur nga Uinterturi me 2 gola dhe në fund e ka humbur ndeshjen. Në fund të takimit, sulmuesi kuqezi është vlerësuar si lojtari më i mirë i Luganos jo vetëm për golin e shënuar, por edhe për paraqitjen në tërësi, duke marrë nota të larta për shpirtin e sakrificës. Lugano momentalisht ka 17 pikë dhe është 16 pikë larg kryesuesve të kampionatit, Araut, dhe ëndrrat për t’u ngjitur në Superligën zvicerane janë venitur. Kjo mund të sjellë edhe ndryshime drastike në klub, që mund të prekin edhe sulmuesin e Shqipërisë, Armando Sadikun. Për bomberin kuqezi interesohen disa klube të njohura të futbollit perëndimor, pasi ka pasur interesim nga skuadra gjermane, angleze dhe italiane. Emri i tij është lakuar edhe në korridoret e Borusia Dortmundit, ku vetë menaxheri i sulmuesit ka pohuar interesimin e kampionëve të Gjermanisë për futbollistin elbasanas. Nga shkurti i vitit 2011, Sadiku ka realizuar 36 gola në 49 ndeshje në kategorinë e dytë zvicerane.
Çani-Kapllani, polemika te ekipet e tyre
Edmond Kapllanit nuk i ka pëlqyer vendimi i trajnerit të FSV Frankfurtit, Beno Mohlman, për ta zëvendësuar. Mohlman në ndeshjen e fundit kundër Jahn Regensburgut, pas vetëm 35 minutave lojë, për arsye taktike, vendosi ta nxirrte sulmuesin shqiptar nga loja dhe në vend të tij të inkuadronte një lojtar difensiv. Kjo, për arsye se FSV Frankfurti mbeti me një lojtar më pak në fushë. Mirëpo kjo duket se nuk i ka pëlqyer Kapllanit, i cili pati një fjalosje me zyrtarin e FSV Frankfurtit, Uve Stover. Ndërsa sulmuesi Edgar Çani ka pasur një fjalosje me shokun e tij në ndeshjen e fundit të kampionatit që Polonia e Varshavës e fitoi 5-0 në transfertë kundër Belçatovit. Çani në këtë ndeshje u aktivizua si zëvendësues dhe pas disa minutave lojë ai fitoi një penallti, të cilën ka dashur ta gjuajë vetë. Mirëpo Brzyskit u mundua t’i merrte topin dhe ta gjuante ai këtë penallti, dhe ashtu ndodhi.