Superaksion në Ballkan, 61 në pranga, 4 shqiptarë
Një operacion antidrogë i zhvilluar njëkohësisht në Shqipëri dhe 4 shtete të tjera, i koduar Trio ka vënë në pranga 61 persona, katër prej të cilëve të arrestuar nga policia shqiptare. Policia e Shtetit njoftoi se nga operacioni i kryer njëkohësisht në Shqipëri, Mali i Zi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Serbi, ka vënë në pranga shtetasit Leonard Dushi, Agim Hasaj, Leonard Stërkaj dhe Ervis Bici.
Kush janë katër shtetast shqiptarë ndaj të cilëve është marrë masa e arrestit;
1. Leonard Zef Dushi, vjeç 41, banues në Shkodër, në banesën e të cilit është gjetur e sekuestruar një sasi prej 30 gram bimë e dyshuar narkotike. Po ashtu u sekuestruan 6 aparate telefoni celular, 15 karta SIM, fatura për transferta bankare, 1 kompjuter lap top dhe 1 automjet JEEP.
2. Agim Binak Hasaj, vjeç 35, banues në Stërbeq, Malësi e Madhe, në banesën e të cilit u gjetën dhe sekuestruan 475 gram bimë e dyshuar narkotike, si dhe 111 copë fishekë luftarak, dy krëhra pistolete dhe 3 aparate telefonik celular.
3. Leonard Dedë Sterkaj, vjeç 27, banues në Dedaj, Malësi e Madhe në banesën e të cilit u gjetën e sekuestruan 140 gram bimë e dyshuar narkotike, 1 makineri (aparat) e cila shërben për presimin dhe ambalazhimin me vakum të lëndës narkotike, 8 aparate telefonik celular dhe 2 automjete (Ëolsvagen Golf 5 dhe Pasat).
4. Ervis Isuf Bici, vjeç 29, banues në Koplik, Malësi e Madhe, në banesën e të cilit u gjetën e sekuestruan 520 gram bimë e dyshuar narkotike, 103 copë fishekë luftarak, 3 aparate telefoni celular, 4 karta SIM, 2 aparate komunikimi në distancë, si dhe 1 automjet Hamer.
Ky grup i krimit të organizuar trafikonin drogë të tipit marijuanë nga Shqipëria, nëpërmjet Malit të Zi në territorin e Besnje dhe Hercegovinës, për ta shpërndarë më pas në Kroaci. Sipas agjencisë së lajmeve Tanjug, ky operacion që ka koordinuar të gjithë policitë e vendeve të rajonit ka zgjatur 6 muaj.
Të njëjtat burime tregojnë se gjatë këtyre muajve është bërë e mundur arrestimi i 57 personave dhe janë konfiskuar rreth 350 kg marijuanë.
Ministri serb, Ivica Daçiç ka konfirmuar se nuk ka pasur arrestime në Serbi, ndërsa ka shtuar se vendi i tij ka dhënë ndihmë në logjistikë dhe informacion për të përmbyllur me sukses këtë operacion.
