Superfuqitë, jo më kredimarrëse të klasit të parë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe vende të tjera të rëndësishme janë “shumë pranë” rënies nga klasa e vendeve kredimarrëse të cilësisë së lartë, njoftoi dje agjencia ndërkombëtare e vlerësimit “Moody’s”. Borxhet e marra nga qeveritë e vendeve të zhvilluara si: SHBA, Gjermani, Britani e Madhe, Francë, Spanjë apo vendet nordike, cilësohen si super të sigurta dhe kanë vlerësimin më të lartë të mundshëm nga “Moody’s” me tre A. Vendet në zhvillim apo me aftësi të dyshimtë paguese si Shqipëria vlerësohen me B, ndërsa vendet e falimentuara apo në rrezik falimenti vlerësohen me C. Aktualisht, të gjitha vendet e zhvilluara kanë ende vlerësimin maksimal, por sipas “Moody’s”, “distanca e tyre nga vlerësimi më i ulët është zvogëluar ndjeshëm”.
“Rritja ekonomike nuk mjafton për të zgjidhur ekuacionin gjithnjë e më të komplikuar të borxhit publik në këto vende”, deklaroi “Moody’s”. “Ruajtja e sigurisë së aftësisë paguese të këtyre vendeve, (raporti mes kostos së interesave dhe të ardhurave qeveritare), do të kërkojë shkurtime buxhetore të përmasave të tilla që mund të rrezikojnë mirëqenien sociale”, shton “Moody’s”.
Greqia, Portugalia e vende të tjera që sakaq janë në gjendje shumë më të keqe, janë goditur gjatë javëve të fundit nga greva dhe protesta, pasi u përpoqën të shkurtojnë shpenzimet buxhetore.
Vlerësimi nga agjencitë për cilësinë e borxheve publike është shumë i rëndësishëm për shkak sesa më i lartë të jetë vlerësimi, aq më të ulëta janë interesat e borxhit. Rënia në shkallët e vlerësimit rrit automatikisht koston e borxhit, gjë që kërkon masa edhe më të ashpra e paralajmëron për rreziqe edhe më të mëdha.
Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se deficiti buxhetor këtë vit do të rritet në 10.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto këtë vit, më i larti që nga viti 1946 ndërsa borxhi federal do të rritet në 64 për qind të PBB-së. Shpenzimet buxhetore pritet të jenë më të lartat që nga Lufta e Dytë Botërore ose 25.4 për qind e PBB-së. Sipas “Moody’s”, shpenzimet e qeverisë amerikane për interesat e borxhit mbeten të përballueshme, por situata është e pasigurt. Në Britaninë e Madhe, rreziku është që të ardhurat e qeverisë të jenë më të ulëta se parashikimet, gjë që do të shtojë më tej borxhin që sakaq është 90 për qind e PBB-së. Situata qe më ndryshe në Francë e Gjermani, ku niveli i borxhit në fillim të krizës qe më i ulët e për rrjedhojë, qeveritë patën më shumë hapësira për manovrim.
#