E Shtunë, 31 Tetor 2026

Supergol i Bogdanit, te Çezena duan të qëndrojë

ITALI- Një gol spektakolar, i shënuar vetëm 40 sekonda pas futjes në lojë, ka rikthyer besimin e drejtuesve të Çezenës ndaj Erjon Bogdanit. Ndeshja miqësore ndaj QPR-së, e luajtur në San Marino dhe e përfunduar 1-0 për ekipin italian, ka patur për protagonist pikërisht sulmuesin shqiptar.

Bogdani realizoi një gol të mrekullueshëm në minutën e 85-të, duke goditur me një gjysmë rrotullim me të djathtën dhe duke mposhtur portierin kundërshtar. Lojtari shqiptar ishte në stol dhe në minutën e 84-t trajneri Xhampaolo vendosi ta hedhë në fushë në vend të Mutu. Por, atij i mjaftuan pak sekonda për të bindur sërish drejtuesit.

Menjëherë pas golit, shokët e ekipit shkuan ta përqafonin, si për të treguar se për ta, Bogdani duhet të qëndrojë. Gjithsesi, largimi i tij nga Çezena është tashmë një çështje orësh, pasi tekniku Xhampaolo nuk e dëshiron në ekip dhe ka kërkuar drejtuesit që të kërkojnë në merkato për një sulmues tjetër shtatlartë.
(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›