Superiorja: Nga “derbi i vogël”, te “derbi i madh”

Nga Altin B. Kodra
Java e 16-të e Kategorisë Superiore, e cila ngre siparin të shtunën, ofron një sërë sfidash interesante, por, mbi të gjitha, spikat ajo ndeshje e së dielës, midis dy rivaleve kryeqytetase që kanë shkruar historinë e futbollit të gjysmëshekullit të shkuar të futbollit shqiptar, Tiranës dhe Partizanit. Bardheblutë vijnë në këtë takim me komoditetin që u ofron epërsia prej 5 pikësh në krye të renditjes, duke pranuar mbase edhe barazimin si alternativë. Ndërkaq, të kuqtë e drejtuar nga Hasan Lika, e kanë të qartë se një humbje përballë skuadrës së drejtuar nga trajneri "interim", Shkëlqim Muca, do t'i linte ata plot 10 pikë pas rivales historike dhe do të sinjalizonte shuarjen e shpresave për të qëndruar në luftën për titull, vecanërisht po të mbahet parasysh se skuadrat e tjera, sic janë Elbasani dhe Vllaznia, që ndeshen me njëra-tjetrën të dielën, apo Teuta, që ka mposhtur dje Apoloninë dhe viziton të dielën Luftëtarin në Gjirokastër, vazhdojnë të sulmojnë kreun. Ekipi i Tiranës, i drejtuar nga sekretari i klubit dhe trajneri i komanduar, Shkëlqim Muca, po përgatitet intensivisht për ndeshjen e fundjavës me Partizanin. "Do të përballemi me rivalin tonë Partizanin, i cili barazoi me skuadrën e Besës (0-0), - u shpreh të martën për shtypin trajneri Muca. - Gjithsesi, kemi përballë një skuadër të fortë, por do t'u kërkoj lojtarëve të mi që të japin maksimumin edhe sigurisht marrjen e tre pikëve." Përsa i përket fitores me Dinamon, ai tha se ajo "ishte ndeshje e denjë për një derbi, plot ritëm e emocione. Dinamo u shfaq më e ekuilibruar dhe na goditi në minutat e para, madje mund ta kishte mbyllur lojën nëse do të kishte shënuar me Gudjabin. Pastaj ne erdhëm gradualisht në rritje dhe barazuam, ndërsa në pjesën e dytë, u pa që e kërkuam më shumë fitoren dhe e gjetëm. Ishte një fitore e vështirë, por në momentin e duhur për ne.' Pavarësisht se qëndrojnë në vend të parë, bardheblutë kanë një golaverazh problematik, pasi, përvecse kanë shënuar më shumë gola se cdo skuadër tjetër, 31, kanë pësuar në të njëjën kohë shumë gola për një skuadër që pretendon trofeun, plot 18. Nga ky golaverazh konkludohet se bardheblutë kanë sulmin më të mirë të kategorisë superiore dhe një ndër mbrojtjet më të dobëta të saj dhe ky është një nga problemet me të cilat përballet Muca.