Superklasikja Gjermani-Angli, sot. Botërori i beson njërës prej tyre
“Futbolli është një sport i luajtur nga 22 futbollistë, që vrapojnë pas një topi dhe një gjyqtar që gabon ndonjëherë. Dhe në fund fiton gjithmonë Gjermania”. Për ta kuptuar se sa e rëndësishme dhe sa e frikshme është për anglezët, një përballje me rivalët e tyre historikë, mjafton të deshifrosh këtë thënie. “Lajmi i mirë: Anglia është kualifikuar. Lajmi i keq: kundërshtar është Gjermania”. Titulli i ditëve të kaluara i “The Guardian” përmbledh sensin e frikës, se një përballje me Gjermaninë bren mendjen e britanikëve. Anglia mund të ketë mundur Gjermaninë (perëndimore) dhe të ketë fituar kështu titullin e vetëm kampion bote, por që atëherë bluzat gjermane, për anglezët, kanë qenë gjithnjë prelud i marrjes së avionit në drejtim të shtëpisë. Mjafton të mendosh për Meksikë ‘70, vetëm katër vite pas golit “fantazmë” Hurst, ku anglezëve nuk u mjaftoi avantazhi i përkohshëm 2-0, i cili u përmbys më pas 2-3, duke u shndërruar kështu në një lamtumirë nga Botërori. Ose Spanjë '82, kur gjysmëfinalistët nuk zgjidheshin me eliminim direkt në çerekfinale, por me 4 minigrupe nga 3 skuadra. Anglezët natyrisht u përballën “panzer”-at, dhe 0-0 e Madridit i la jashtë loje të besuarit e Mbretëreshës. Kujtoni Italia '90 dhe lotët e Paul Gaskoin. Ajo gjysmëfinale zë një hapësirë të veçantë në historinë e futbollit anglez, për mënyrën se si përfundoi aventura e Anglisë më të mirë në botëroret jashtë shtëpisë. Statistikat e freskëta, në 20 vite distancë, kujtojnë vetëm se pas barazimit 1-1 në kohën e rregullt erdhi 4-3 për gjermanët nga pika e 11-metërshave. Gjermani-Angli nuk është kurrë një ndeshje si të tjerat, për më tepër nëse bëhet fjalë për një sfidë në 1/8-at e një Botërori. është sfida më intrigante e këtij turi. Apel i vërtetë direkt nga historia e futbollit europian, atij futbolli që në Afrikën e Jugut është deri tani një gjysmëfalimentim. Që nga sot do t’i besohet vetëm njërës prej tyre, plus Holandës (për momentin më e mira e Kontinentit të Vjetër), misioni për të na shpëtuar fytyrën dhe ndoshta edhe diçka më shumë. Gjermani-Angli është një klasike, që do të prodhojë një hakmarrje të madhe, sepse ai që do të eliminohet do të derdhë lot “acidi” nga hidhërimi. Në këtë botëror, skuadrat do të përballen në një mënyrë krejtësisht të ndryshme. Kemi një Gjermani të re dhe të guximshme, një Angli të maturuar dhe të gatshme për të fituar. Prandaj do të jetë një ndeshje shumë e ekuilibruar, pa një favorit të vërtetë. Dueli do të jetë interesant në pankinë, Johakim Lëv kundër Fabio Kapelos, spektakolariteti i gjermanit kundër pragmatizmit të trajneri italian. Për sa i përket formacioneve, Lëv konfirmon 11-shen e dy ndeshjeve të para. Kakau do të jetë mungesa e vetme e Lëvit, i cili dje ka marrë lajme të mira nga Shvajnshtajger dhe Botang, të cilët janë rikuperuar. Tekniku i “Mannschaft”-it do të ketë edhe ndihmën e Mikael Balak, i cili ka mbërritur në Afrikën e Jugut për t’i dhënë këshilla rreth anglezëve. Oliver Birhom mendon se “do të jetë një përballje e madhe, por anglezët kanë më shumë eksperiencë, prandaj ata janë favoritë”. Ndërsa Kapelo ka në dispozicion të gjithë lojtarët, edhe mbrojtësin King. Megjithatë ka disa dyshime, sepse duhet të zgjedhë se kush me Karrager e Upson do të jetë përkrah Territ në mbrojtje. Shumë i mundshëm konfirmimi i Defoe në sulm. Edhe Runi ka lënë pas atë problem që kishte në kavilje. Sulmuesi i Mançesterit deklaron: “S’kemi frikë nga Gjermania, nuk është skuadër e pathyeshme”.
#