Lushnjë, gjak për talasemikët nga burgu i Kosovës
Thirrjes për dhurim vullnetar të gjakut i është përgjigjur dje administrata e burgut të Kosovës, në Rrethin e Lushnjës. Më shumë se 50 efektivë të këtij institucioni të vuajtjes së dënimit kanë dhuruar gjak për Bankën e Gjakut të Lushnjës, e cila prej muajsh vuante krizën e mungesës së tij. “Lushnja është një nga rrethet që shënon numrin më të madh të të sëmurëve talasemikë. Kjo ishte një nga arsyet pse apeleve të shumta të të sëmurëve nuk mund t’iu qëndrosh indiferent. është një thirrje që flet shumë, ndaj unë u shpreha i gatshëm për të dhënë gjak”, ka thënë një prej efektivave. Shkëlqim Krasniqi, drejtori i burgut të Kosovës në Lushnjë, ka falënderuar punonjësit e tij, ndërsa i është bashkuar edhe vetë aksionit për dhurimin e gjakut. “Veprimi i sotëm vjen si rezultat i një kërkese nga banka e gjakut në Lushnjë, si dhe nga dega e Kryqit të Kuq në këtë qytet. Ne e vlerësuam thirrjen për ndihmë të tyre dhe do ta vlerësojmë sa herë që të jetë e nevojshme, pasi pikë së pari është një akt human”, tha Krasniqi. Pas kësaj, ai i lëshoi thirrje të gjitha grupeve sociale dhe shoqërore të dhurojnë gjak. Ndërkaq, një ditë më parë, Drejtoria Rajonale e Arsimit në Fier, i është bashkuar thirrjes për dhurim gjaku, ndërsa javë më parë, dhuruese ka qenë edhe administrata e Bashkisë së Fierit.
#