E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superkupa e tifozëve

Kapiteni i Real Madridit, Iker Casillas ia dedikoi trofeun e Superkupës së Spanjës tifozëve të gjigantit madrilen pasi ndjeu se skuadra ua kishte borxh fitoren ndaj Barcelonës. Asistenti Aitor Karanka u shpreh se skuadra ka mundur të fitojë me rezultat më të thellë se 2-1. Ndërsa, trajneri i Barcelonës, Tito Vilanova është shprehur krenar që ekipi i tij sulmoi edhe me një futbollist më pak në fushë.

Portieri dhe kapiteni i Real Madridit, Iker Casillas ka theksuar se fitorja ndaj Barcelonës në Superkupën e Spanjës ishte triumf për tifozët. Ekipi i Jose Mourinhos mund të ketë marrë vetëm një pikë nga dy ndeshjet e para në La Liga dhe humbi 3-2 në duelin e parë të Superkupës nga Barcelona, por fitoi 2-1 në Santiago Bernabeu dhe rrëmbeu trofeun. “Ne kemi hyrë në takim në një seri negative dhe ia kishim borxh tifozëve këtë titull”, deklaroi Casillas në konferencë për shtyp pas ndeshjes.

“Nuk e kemi filluar mirë sezonin por ka ditë kur kemi fat dhe të tjera kur ai ju mungon. Mendoj se e merituam këtë fitore. Pjesa e parë ishte dominuar nga ne, edhe pse Victor Valdes bëri paraqitje të mrekullueshme dhe në fund ne u desh të vuajmë pak. Ata na sulmuam por nuk krijuan shumë rrezik”, përfundoi ai.

Gonzalo Higuain dhe Cristiano Ronaldo e kaluan Realin në epërsi 2-0 para se Lionel Messi të ngushtojë rezultatin duke realizuar nga goditja e lirë. Goli nga Messi erdhi pasi Barcelona mbeti me një futbollist më pak në fushë pas përjashtimit të mbrojtësit Adriano në minutën e 28-të.

Reali krijoi shumë raste të tjera për shënim por nuk mposhti më portën e Valdesit. Asistenti Aitor Karanka i cili u paraqit në konferencë për shtyp në vend të Mourinhos beson se kampioni i Spanjës është dashur të shënojë më tepër se dy gola kundër Barcelonës. “Nëse do të kishim shfrytëzuar rastet e pjesës së parë dhe ato që u krijuan në të dytën fitorja do të ishte më e thellë. Megjithatë, e morëm titullin dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”, theksoi ai.

Vilanova, krenar me Barcelonën

Trajneri i Barcelonës, Tito Vilanova është shprehur krenar me skuadrën e tij pas humbjes 2-1 nga Reali.

“Pjesa e dytë e takimit gjatë së cilës sulmuam me 10 futbollistë deri në fund ishte pa dyshim momenti më krenar në katër vitet e mija në klub”, deklaroi Vilanova në konferencë për shtyp.

“Ata na befasuan me topa të gjatë dhe edhe pse Higuain kishte një rast edhe më herët, ata i shfrytëzuan dy të radhës dhe shënuan. Ju gjithmonë e dini se Reali ka kapacitet të shënojë gola sepse kanë ekip dhe futbollistë shumë të mirë”, u shpreh Vilanova i promovuar në detyrë pas përfundimit të sezonit të kaluar kur Pep Guardiola vendosi të mos vazhdojë kontratën e tij në Nou Camp.

Barcelona ka epërsi prej pesë pikëve ndaj Realit pas dy xhirove në La Liga dhe Vilanova ka theksuar se rezultati i Superkupës nuk do të ketë ndikim në vazhdim të sezonit. “Kjo ndeshje nuk do të bëjë dallimin në vazhdim të sezonit dhe ne kemi një ndeshje të La Ligës të dielën”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›