E Diel, 1 Nëntor 2026

Superkupa, sezoni i ri ndan trofeun e parë



Dash Frashëri

Tirana, kampione e vendit për sezonin 200-2009 dhe Flamurtari, fituese e Kupës së Shqipërisë për vitin e kaluar, do të diskutojnë sot në “Qemal Stafa” (ora 19:00), finalen e Superkupës. Nis kështu sezoni futbollistik 2009-2010 me finalen e 16-të historike të Superkupës, teksa bardheblutë janë dhe skuadra me më shumë trofe të fituar, 7 të tilla, por dhe finalistja e parë e humbur, kur në vitin 1989 humbi me Dinamon (2-0). Tirana e Flamurtari nuk kanë diskutuar kurrë më parë një finale Superkupe midis tyre.
24-herë kampionët e Shqipërisë, të cilët u eliminuan në mënyrë të turpshme nga norvegjezët e Stabaekut (barazuan 1-1 më Tiranë, humbën 4-0 në Norvegji), synojnë nën drejtimin e kroatit Ilija Lonçareviç fitimin e Superkupës, ndaj një Flamurtari, që nga ana e tij regjistroi në Europë humbjen më të thellë të një skuadre shqiptare në kompeticionet ndërkombëtare të klubeve: 8-1 nga skocezët e Madhëruellit (takimi i parë, 1-0 për Flamurtarin në Vlorë).
Gjatë fazës përgatitore, Tirana fitoi trofeun “Majaci”, i organizuar për nder të ish-futbollistit të madh fierak Kujtim Majaci, të ndarë nga jeta disa javë më parë. Dy skuadrat diskutuan së bashku edhe finalen e Kupës së Shqipërisë së edicionit të kaluar (Flamurtari fitoi 2-1), ndërkohë që pas nj javë do të luajnë sërish midis tyre në kryeqytet, por kësaj radhe për javën e parë të Kampionatit të 71-të Kombëtar të futbollit.
“Superkupa është një trofe që e çmoj dhe unë e kam gati skuadrën për të fituar atë. Flamurtari është një kundërshtar i fortë dhe ne e respektojmë atë, - është shprehur për mediat sportive trajneri i Tiranës, Ilija Lonçareviç, i cili mund të bëhet kroati i dytë që fiton një Superkupë, pas atij të Dinamos, Zllatko Daliç, që fitoi atë të edicionit 2008, kur blutë, kampionë të sezonit 2007-2008, fituan 2-0 me Vllazninë, fituese e Kupës së Shqipërisë.
Tiranës do t’i mungojnë në finalen kundër Flamurtarit dy sulmuesit e saj më të mirë të edicionit të kaluar, Migen Memelli (ende në rikuperim e sipër) dhe Daniel Xhafaj (i transferuar te Besa), ndërkohë që për vijën e parë bardheblu, trajneri Lonçareviç ka në dispozicion dy blerjet e reja sezonale, Endo Malindin e ardhur nga Spartak Varna e Bullgarisë dhe Arbër Abilaliaj të mbërritur nga Besa.

FINALISTET
TIRANA
Bardheblutë kryeqytetas është skuadra që ka diskutuar më shumë finale të Superkupës me 10 të tilla, duke fituar 7 prej tyre. Për herë të fundit, Tirana e fitoi në vitin 2007, kur mposhti Besën (fituese e Kupës) me rezultatin bindës 4-2.

FLAMURTARI
Kuqezinjtë vlonjatë janë dy herë fitues të Superkupës së Shqipërisë. Flamurtari ka fituar në vitin 1991 dhe 1992, respektivisht kundër Dinamos (me penallti, pas barazimit 3-3) dhe ndaj Partizanit (1-0, gol i Daulles).

DINAMO, FITUESJA E FUNDIT

Fituesja e fundit e Superkupës së Shqipërisë është Dinamo. Blutë, kampionë të sezonit 2007-2008, fituan 2-0 me Vllazninë, fituese e Kupës së Shqipërisë, të po atij edicioni. Në stolin e Dinamos ishte kroati Zllatko Daliç. Golat u shënun nga kroati Frane Petriçeviç (17’) dhe shqiptaro-kroati Pëllumb Jusufi (78’).

Të gjitha ndeshjet e Superkupës
1989 Dinamo-Tirana 2-0
1990 Flamurtari-Dinamo 3-3 (5-4 p)
1991 Flamurtari-Partizani 1-0
1992 Elbasani-Vllaznia 3-2 (pas kohës shtesë)
1993 Nuk u luajt. Partizani ishte fitues i dyfishtë: Kampionat dhe Kupë
1994 Tirana-Teuta 1-0
1995 Nuk u luajt
1996 Nuk u dha: Tirana ishte fitues i dyfishtë: Kampionat dhe Kupë
1997 nuk u luajt
1998 Vllaznia-Apolonia 1-1 (5-4 p)
1999 Nuk u luajt. Tirana ishte fitues i dyfishtë: Kampionat dhe Kupë
2000 Tirana-Teuta 1-0
2001 Vllaznia-Tirana 2-1
2002 Tirana-Dinamo 6-0
2003 Tirana-Dinamo 3-0
2004 Partizani-Tirana 2-0
2005 Tirana-Teuta 0-0 (5-4 p)
2006 Elbasani-Tirana 0-2
2007 Tirana-Besa 4-2
2008 Dinamo-Vllaznia 2-0
2009 Tirana-Flamurtari sot, 19:00

Fituesit e Superkupës

7 Tirana
2 Vllaznia
2 Flamurtari
2 Dinamo
1 Partizani
1 Elbasani

Kuriozitete nga 15 finalet e Superkupës

Në 15 finalet e zhvilluara të Superkupës, janë shënuar gjithsej 39 gola përgjatë 90 minutave apo shtesave.

* * *

Golin e parë në një ndeshje Superkupe e ka shënuar Eduart Abazi në finalen e vitit 1989 Dinamo-17 Nëntori (Tirana) 2-0 dhe të fundit shqiptaro-kroati Pëllumb Jusufi në finalen e vitit 2008 në takimin Dinamo Vllaznia (2-0)

* * *

Janë katër lojtarët që kanë shënuar nga dy gola: Sulejman Demollari (Dinamo), Sajmir Patushi (Vllaznia, Tirana), Mahir Halili (Tirana) dhe Elvis Sina (Tirana).

* * *

Gjatë finaleve janë shënuar 3 gola me penallti: Sulejman Demollari (Dinamo-Tirana 2-0, 1989), Sokol Kushta (Flamurtari-Dinamo 3-3, 1990) dhe Sokol Kushta (Tirana-Teuta 1-0, 1994).

* * *

Goli më i shpejtë është shënuar nga Eduart Abazi (Dinamo-Tirana 2-0, 1989) dhe Sokol Kushta (Tirana-Teuta 1-0, 1994), që të dy në minutën e 4-t të takimeve respektive.

* * *

Goli më i vonshëm është shënuar në minutën e 115 nga Hekuran Jakupi (Elbasani) në finalen e vitit 1992 Elbasani-Vllaznia 3-2.

* * *

Fitoren më të thellë e ka realizuar Tirana kur ka mundur 6-0 Dinamon në finalen e vitit 2002. Ato minimale 1-0 janë arritur 3 herë: Flamurtari-Partizani (1991), Tirana-Teuta (1994) dhe Tirana-Teuta (2000).

* * *

Tirana është ekipi që ka diskutuar më shumë finale të Superkupës me 10 të tilla, ku merr pjesë për të shtatin vit rresht, duke fituar 7 prej tyre

* * *

Nga 10 finale të diskutuara Tirana ka humbur 3 prej tyre me Dinamon (1989), Vllazninë (2001) dhe Partizani (2004).

* * *

Dy finale janë zgjidhur nga gjuajtjet e penalltive. Në vitin 1990 Flamurtari-Dinamo 3-3 (5-4 p) dhe në vitin 2005 Tirana-Teuta 0-0 (5-4 p)

17 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›