Cana, debutimi britanik vlen tri pikë
Lorik Cana e nisi aventurën e tij angleze me Sandërlendin me një fitore 0-1 në transfertën e vështirë kundër Boltonit, në javën e parë të Premier Ligës, kampionatit më të fortë në botë. Mesfushori shqiptar, një nga blerjet e bujshme sezonale të “Maceve të zeza”, e nisi takimin si titullar dhe sipas komenteve të mediave britanike tregoi menjëherë përshtatjen me futbollin fizik anglez, duke neutralizuar në shumë raste suedezin Elmander të Boltonit, duke fituar edhe admirimin e tifozëve të shumtë të Sandërlendit, të cilët kishin udhëtuar për të mbështetur skuadrën e tyre. Golin e vetëm të takimit e shënoi pas pesë minutash lojë sulmuesi Daren Blent (5’), një tjetër rekrutim me vlerë për Sandërlendit e bosit Stiv Brus. Mesfushori shqiptar i dha një look dinamik Sandërlendit të tij në fitoren 1-0. “Boltoni ushtroi presion për të barazuar ndeshjen, por falë ‘punës të madhe mbuluese’ të Lorik Canës, që bllokoi Dejvisin, ky i fundit krosoi dobët topin e përfunduar direkt në duart e portierit të Sanderlendit, Fulop”, - shkruante në komentin e saj faqja zyrtare të Sanderlendit.
“Ambasador i mirë i Shqipërisë”
Gjithmonë një futbollist i kërkuar nga media në Angli, Lorik Cana, intervistuar nga gazeta “Durhan Times”, tha: “Shqipëria është një vend i vogël me njerëz të mëdhenj nga shpirti. Ne jemi një popull i vogël në mes të Europës, por shumë njerëz nuk dinë sumë pëer Shqipërinë. Ka shumë histori rreth Shqipërisë, por shumë prej tyre nuk janë të vërteta. Shpresoj, se mund ta ndihmoj duke prezantuar një anë të tjetër të vendit tim popullit anglez”. Sipas gazetës angleze, ai është në Devid Bekhami i Tiranës, një ambasador global që shpreson të portretizojë Shqipërinë në një dritë më pozitive sesa ajo ka gëzuar në të kaluarën. “Kam luajtur me Parisin dhe Marsejën dhe tani në Premier Ligë, mendoj se njerëzit në Shqipëri janë krenar për këtë. Premier Liga shikohet shumë në Shqipëri. Njerëzit i njohin të gjithë lojtarët dhe klubet, dhe kjo është arsyeja që vendosa të luaja në Angli”.
Kuzhe “fut” në lojë Jahmir Hykën
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, ndoqi nga tribuna “VIP” e stadiumit “AVD Arena” takimin Hanover 96-Mainc 05 (1-1), të vlefshëm për javën e dytë të Bundesligës gjermane, duke shijuar “live” lojën e dy futbollistëve shqitparë, Jahmir Hykës, mesfushorit të Mainc 05 dhe Valdet Ramës, mesfushorit të Hanover 96. Hyka hyri në lojë si zëvendësues në minutën e 72-të në vend të Ivanshitc, ndërsa Rama me fillimin e pjesës së dytë në vend të Forselit. Në aktivizimin e Hykës (minutat e para sezonale për të), ndoshta ka ndikuar dhe prania e trajnerit të Kombëtares shqiptare. Për Maincin ky është barazimi i dytë në dy ndeshjet e para, ndërsa për Hanoverin e Altin Lalës (ishte në tribunë) ishte pika e parë pas humbjes 1-0 me Hertën e Berlinit. Në takimet e tjera të javës së dytë të Bundesligës u arritën këto rezultate: Shtutgard-Frajburg 2-2, Bajern Munih-Verder Bremen 1-1, Hamburg-Borusia e Dortmundit 4-1, Bajer Leverkuzen-Hofenhajm 1-0, Ejntrahti i Frankfurtit-Nurmeberg 1-1. Të dielën luajnë Borusia Mënshengladbah-Herta e Berlinit dhe Shalke 04-Bokum (mungon Mavraj). Për ndeshjet e Bundesligës 2, Augsburgu i Edmond Kapllanit pret në shtëpi Oberhauzenin, ndërsa Arminia Bielefeld i Besart Berishës do të luajë në transfertë kundër Tus Koblenc të vëllezërve Kuqi. Në Bundesligën 3, Erzgebirge Aue e Skerdilajd Currit e Alban Ramajt barazoi pa gola me Karls-Zajs Jenën.
Xhemaili në shënjestrën e Napolit
Blerim Xhemaili, mesfushori i Torinos, është në shënjestrën e disa prej klubeve më të mëdha të Serisë A, përfshirë Milanin, Napolin, Palermon dhe Udinezen. Nga ana tjetër është shumuar interesimi i Parmës e Fiorentinës për shqiptarin nga Maqedonia, por me pasaportë zvicerane.
“Dopio” Drogba i dhuron fitoren Karlo Ançelotit
Ndeshja e parë e kampionatit në “Stamford Bridxh” për Karlo Ançelotin, që me Çelsin e tij foti 2-1 kundër Hull sitit. Trajneri italian luajti me tre sulmues me Lampardin në mbështetje të Drogbasë e Anelkasë. Miqtë kaluan në avantazh në minutën e 27-të me anë të Hunt, ndërkohë që është Drogba që mendon për barazimin për Çelsin në të 36’. Në minutën e 91-të pas një pune të jashtëzakonshme të Drogbasë, Çelsi shënoi golin e fitores 2-1, ndërkohë që sulmuesi nga Bregu i Fildishtë realizoi një dopjetë.
Në takimet e tjera të javës së parë të Premier Ligës, Aston Vila humbi 2-0 brenda me Uiganin, Mançester Siti fitoi 2-0 në transfertë me Bllekbërnin, Fulhami po në transfertë fitoi 1-0 me Portsmuthin. Stroke Siti fitoi 2-0 me Bërnlin, ish-skuadrën e Besart Berishës. Uest Hemi i Valon Behramit (nuk luajti) fitoi 2-0 në transfertë me Uolverhampton.
17 Gusht 2009