E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superliga Dhunë në Ersekë, ndërpritet fitorja e 5 e Skënderbeut

Autori i Lajmit: Redaksia

Ersekë – Skënderbeu doli fitues në 75 minuta lojë ndaj Gramozit (1-0) në fushën e vështirë të Ersekës, në një ndeshje të ndërprerë për 20 minuta e më pas të pezulluar përfundimisht për shkak të “breshërive” me gurë të tifozerisë kolonjarë ndaj vendimeve të treshes së gjyqtarëve të kryesuar nga Artan Taullahu. Derbi juglindor Gramozi-Skënderbeu, një sfidë midis dy skuadrave të vendeve të fundit, regjistroi një tjetër akt dhunë në futbollin shqiptar, të mbërthyer së fundi nga paracaktimi i rezultateve. Për Skënderbeun bëhet fjalë për fitoren e 5-të rresht në Superligë. Skënderbeu e gjeti golin pa kaluar ende minuta e parë, Klevisi Roshi gjuajti nga një distancë rreth 40 metra, portieri i Gramozit reagoi, por topi u rikthye te sulmuesi kroat i korçarëve, Milaim Guerrib, i cili i dha avantazhin skuadrës së tij, duke shënuar njëherësh edhe golin e tij të 11-të sezonal. Semir Haxhibuliç i kishte të gjitha mundësitë për të barazuar rezultatin në minutën e 12-të, por mesfushori boshnjak nuk e shfrytëzoi rastin. Marius Ngjela shënoi një gol për Gramozin, pro asistenti Ergin Doda kishte ngritur më parë për pozicion jashtë loje. Haxhibuliç goditi shtyllën pingule të portës së Llapanjit në minutën e 60-të. Në minutën e 75-të, gjyqtari kryesor i takimit, Artan Taullahu, ndërpreu ndeshjen pas “lumit të gurëve” të hedhur në fushë nga tifozët kolonjarë, ku disa prej tyre goditën edhe anësorin Ergin Doda, teksa Skënderbeu udhëhiqte me rezultatin 1-0. Shkak për irritimin e tifozerisë kolonjare u bë anulimi i golit të Ngjelës, por dhe disa pozicione jashtë loje. Dy tifozeritë përveç fjalorit të sharjeve bënë edhe garën e hedhjes së gurëve. Treshja e arbitrave më pas ka hyrë në dhomat e zhveshjes së bashku me delegatin e Federatës Besnik Çela dhe pas 25 minutash konsultime, është marrë vendimi që takimi të mos rifillojë. Pas pezullimit të ndeshjes e largimit nga stadiumi, policia ka shoqëruar disa tifozë. Tashmë pritet vendimi i Komisionit të Disiplinës, por është e qartë se pas kësaj, Gramozi do ta humbasë ndeshjen në tavolinë me rezultatin 2-0 si edhe do të penalizohet me gjobë dhe me dënim të fushës. Sa për kuriozitet, në ndeshjen e fazës së dytë, takimi Gramozi-Skënderbeu (2-0) u luajt pa praninë e tifozëve. Skënderbeu me fitoren ndaj Gramozit u ngjit në kuotën e 30 pikëve, po aq sa Kastrioti e Vllaznia (një ndeshje më pak), duke lënë në dy vendet e fundit, Flamurtarin (27 pikë, një ndeshje më pak) dhe Gramozin (22 pikë). Skuadra kolonjare me diferencën e krijuar, duket se vetëm matematika i mban në Superligë.

Dinamo-Kastrioti 1-1

Falë një goli në minutën e 93-të të realizuar nga argjentinasi Maximilano Timpanaro, lideri i Superligës, Dinamo, shmangu një tjetër humbje të turpshme në barazimin 1-1 ndaj Kastriotit në “Qemal Stafa”. 17-herë kampionët e Shqipërisë, të cilët vinin në përballje me krutanët pas humbjes 4-3 me Skënderbeun në Korçë, bënë një tjetër paraqitje të zbehtë në javën e 25-të të Superligës. Pas një pjesë të parë pa gola, ishte Eleandro Pema, që me golin e tij në minutën e 87-të befasoi kryesuesit e Kategorisë Superiore. Dinamo reagoi dhe falë këmbënguljes së blerjes dimërore, Timpanaros, shmangu humbjen e katërt sezonale. Ky ishte barazimi i dytë 1-1 Kastriotin, në po aq barazime të fiksuara në 18 ndeshje historike midis dy skuadrave (11 fitore Dinamo, 5 fitore Kastrioti). Kur duhen edhe 8 javë nga përfundimi i kampionatit, Dinamo udhëheq me 58 pikë, 18 më shumë se Besa e vendit të dytë (40), por kavajasit kanë një ndeshje më pak, pikërisht sfidën ndaj Flamurtarit, që tashmë e sheh sërish veten në vendin e parafundit (27 pikë). Kastrioti nga ana e tij u ngjit në kuotën e 30 pikëve, po aq sa Skënderbeu dhe Vllaznia (një ndeshje më pak).

Sot

Të dielën do të luhen ndeshjet e tjera të javës së 25-të të superligës, ku spikat sfida Tirana-Vllaznia. Bardheblutë do të synojnë patjetër 3 pikët, sepse u rrezikohet vendi i tretë në renditje dhe kësisoji, pjesëmarrja në Kupat e Evropës, ndërkohë që kuqebluve u nevojiten pikë, sepse rrezikojnë mbijetesën. Synime të kundërta, që premtojnë para së gjithash një ndeshje të vërtetë dhe jo estradë, por edhe luftë të fortë sportive. Pas katër ndeshjesh pezullimi, rikthehen në mbështetje të skuadrës së tyre të zemrës tifozët bardheblu, një plus i madh ky për Tiranën, që të arrijë fitoren. Në Laç, në përpjekje për të kapur vendin e tretë, skuadra vendase do të tentojë të sfidojë Apoloninë e Fierit, përmes marrjes së maksimumit, 3 pikëve. Kurbinasit kanë zhvilluar një kampionat mjaft pozitiv, madje mund të konsiderohen surpriza e bukur e garës, ndaj nuk do ti ndërpresin përpjekjet e tyre për të shënuar „hapin historik“, pjesëmarrjen për herë të parë në Kupat e Evropës. Të dielën, në funksion të këtij qëllimi duhet kaluar Apolonia, e cila ka objektivat e saj, marrjen e pikëve, për të siguruar e qetësuar veten nga rreziku i rënies nga superliga, ku janë të përfshira shumë skuadra. Në Kavajë, Besa do të presë Flamurtarin, i cili ndihet më shumë se kurrë i rrezikuar. Ndaj, kuqezinjtë e drejtuar nga Magani do ti shkarkojnë të gjitha bateritë në funksion të fitores. Duke shpresuar edhe tek mungesa e motivit dhe motivimit të kavajasve, që e kanë humbur çdo shpresë për titullin kampion, ndërkohë që thuajse e kanë siguruar vendin e dytë. Pra, me të tilla llogari, duke pasur parasysh edhe “dhuratat“ e fazës së tretë, Flamurtari mund të dalë duarplot nga stadiumi i Kavajës. Sidoqoftë, fusha e lojës do ta tregojë më mirë këtë gjë. Në Peqin, Shkumbini do të ballafaqohet me Teutën e Durrësit. Një sfidë rivalësh të barabartë, nisur nga pozicionet që kanë në renditje, ku secila palë tenton të jetë sa më afër vendit të tretë, për të shpresuar tek ndonjë mrekulli, marrja pjesë në Kupat e Evropës. Prej nga buron edhe bindja se, edhe kjo ndeshje, ashtu si ajo e “Selman Stermasit”, mes Tiranës dhe Vllaznisë, do të prodhojë futboll të vërtetë, në kurriz të të cilit është hedhur shumë baltë nga vetë skuadrat në fazën e tretë.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA e 25-të
(27.03.2010)
DINAMO - KASTRIOTI 1-1 (0-0)
Shënues: Timpanaro 93′ / Pema 87
GRAMOZI - SKENDERBEU 0-1 (0-1) e ndërprerë
Shënues: Guerrib 2

(28.03.2010)
BESA - FLAMURTARI
SHKUMBINI - TEUTA
TIRANA - VLLAZNIA
LACI – APOLONIA

Federata dënon incidentet në Gramozi - Skënderbeu

Tiranë - Pas incidenteve që shoqëruan ndeshjen Gramozi-Skënderbeu (java 25 e Superligës), Federata Shqiptare e Futbollit i bëri thirrje të gjithë qytetarëve, tifozëve, lojtareve dhe drejtuesve te klubeve të futbollit që të distancohen nga veprime të tilla jo normale që nuk kanë asgjë të përbashkët me lojën e bukur të futbollit. “Duke prishur imazhin e tij, këto akte të dhunshme cenojnë edhe bukurinë e garës, e cila është shumë e rëndësishme jo vetëm për aktorët pjesëmarrës, por edhe për të gjithë në që e duam këtë lojë. FSHF i kërkon sportdashësve të ruajnë qetësinë, ta ndihmojnë dhe jo ta pengojnë zhvillimin normal të ndeshjeve. Sepse vetëm kështu, do ti bëjmë një shërbim të vyer futbollit, sportit me të dashur në botë”, - theksohet në deklaratë. Vendimi për ndërprerjen e ndeshjeve u morr për shkak të hedhjes së vazhdueshme të sendeve të forta në fushë, nga ana e tifozerisë vendase. Pasi ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të këtyre veprimeve të dënueshme të cilat për fat të keq kanë vazhduar, arbitri Artan Taullahu vendosi ndërprerjen e saj. Deri në minutën e 75-të takimi ishte fiksuar në shifrat 0-1 për skuadrën e Skënderbeut.

Gurët e Bilishtit, 50 mijë lekë gjobë

Tiranë - Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-se gjobiti me 50 mijë lekë gjobë klubin e Bilisht Sport, për hedhje të gurëve e sendeve të forta në fushë (ne ndeshjen kundër Partizanit) nga të cilat është dëmtuar fizikisht arbitri por jo deri në atë masë sa të bënte të pamundur vijimin e arbitrimit. Lojtarët e KF “Burreli”, Alban Selmani dhe Ervis Neli, për goditje me grushte e shkelma të vëzhguesit në bazë Kodit të Drejtësisë Sportive dënohen secili me nga një vit pezullim nga të gjitha aktivitetet dhe me nga 100 mijë lekë gjobë

Ky lajm është publikuar: 28/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›