Superliga, Lushnja debutuese mund 1-0 Kukësin
Lushnja mund Kukësin 1-0. Vendos goli i një debutuesi në Superiore, sikurse është Lorenc Trashi, ish-lojtar i Gramshit, shënuar në minutën e 54-t të lojës. Skuadra e Banos e nis mbarë kampionatin e ri kombëtar, rikthehet me fitore në Superiore, ndërsa kuksianët duhet të mendojnë për sfidat e ardhshme, sepse “Roza Haxhiu” rezultoi një arenë e pakapërdishme për ta. Pas një performance spektakolare dhe emocionesh të shumta në Ligën e Europës, që u dhuroi jo vetëm tifozëve të vet, por të gjithë shqiptarëve, skuadra verilindore e nis me humbje kampionatin. Ekipi që merr pjesë për herë të dytë në Superiore, pas debutimit një vit më parë, s’ia doli dot në transfertën e vështirë të Lushnjës ndaj vendësve, që janë rikthyer në Superiore pas një mungese 4-vjeçare. Të besuarit e Cungut kanë pasur kohën e mjaftueshme për t’u përgatitur për këtë takim, sepse FSHF vendosi që ai të luhej 3 ditë më vonë, pikërisht për t’i dhënë kohën e nevojshme rikuperuese Kukësit. Trajneri Armando Cungu, i kishte në dispozicion të gjithë titullarët, duke pasur parasysh atë grup lojtarësh që ka luajtur në ndeshjen e dytë ndaj Trabzonsporit. (e.i/balkanweb)