Superliga, Prishtina nuk e njeh humbjen

Edhe pse fitorja nuk ishte aspak e lehtë, kryeqytetasit morën tri pikë shumë të vlefshme, duke vazhduar të kryesojnë klasifikimin me 28 pikë, 6 më shumë se ndjekësja më e afërt, Drenica.
Prishtina shënon e para me Ardian Kozhanin, në minutën e 34-ërt të takimit dhe gjithçka është dukur më e lehtë, kur, në fund të pjesës së parë, kundërshtarët mbetën në inferioritet numerik pas largimit nga fusha të Lavdim Hysenit.
Por miqtë arritën të barazonin shifrat në të 49-tën, me ish-lojtarin e Besës së Kavajës, Alban Dragusha. Tensioni në fushë ishte i dukshëm dhe kjo bëri që gjyqtari Hajdari të largonte me karton të kuq trajnerin prishtinas, Afrim Tovërlanin, i cili ka reaguar disa herë ndaj vendimeve të tij.
Vendasit kanë sulmuar pa ndërprerje, por pa sukses dhe me mungesë të theksuar fati: në katër raste, ishte shtylla ajo që prishi festën e bardhekaltërve, ndërsa në të 75-tën, Enis Fetiu gaboi nga pika e 11-metërshit. Për të shënuar golin e fitores, Prishtina duhej të priste deri në sekondat shtesë të takimit me Suad Saliagiq, i cili i dhuroi skuadrës së tij tri pikët.
Rezultati surprizë i javës së dhjetë në Kosovë ishte padyshim fitorja 2-0 e Ulpianës në fushën e Vëllaznimit. Golin e parë për mysafirët e ka shënuar Besnik Uksmajli me kokë në minutën e 67-të, ndërsa fitorja u vulos nga Sherif Topalli.