E Diel, 1 Nëntor 2026

Superliga Tirana humb ne fushen e saj me Teuten

Tirana vazhdon krizën e rezultateve në Superligë duke u mundur 1-2 në fushën e saj nga Teuta. Një ndeshje për t’u harruar për skuadrën e drejtuar nga kroati Misha Kërcicevic, i cili duhet të presë ende për të shijuar fitoren e parë në kampionatin shqiptar. Fitorja në këtë sfidë është shumë e rëndësishme për formacionin durrsak që ka hedhur një hap bindës në objektivin për të shpëtuar sezonin. Heroi i ndeshjes është Brunild Pepa i cili do të shënonte dy golat e fitores për Teutën, duke bërë të pavlefshëm barazimin e përkohshëm të vendasve falë autogolit të Shetës.

Rezultati i ndeshjes do të ndryshonte në minutën e 34-rt. Pepa do të shfrytëzonte hapësirat në mbrojtjen e Tiranës dhe me kokë do ta dërgonte topin në rrjetë. Reagimi i bardhebluve në pjesën e parë do të ishte i dobët, ndërsa skuadrat do të ktheheshin në dhomat e zhveshjes me epërsinë minimale të Teutës. Rezultati do të kthehej në barazim në minutën e 78-të, pasi Sheta do të devijonte topin në portën e tij.

Gjithsesi, shpresat e Tiranës për të dalë me pikë nga kjo sfidë do të shuheshin pas vetëm katër minutash. Pepa do të shfrytëzonte mbrojtjen inekzistente të Tiranës duke vulosur përfundsimisht fitoren e durrsakëve mne golin e tij të dytë. Pas kësaj humbjeje, Tirana qëndron në kuotën e 34 pikëve, por rrezikon të humbasë dhe vendin e katërt në renditje, ndërkohë që Teuta i është larguar zonës së ftohtë të renditjes dhe pas 23 ndeshjeve numëron 27 pikë.

Nertan Prifti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›