Jaja Ture mbron vëllanë: Kolo është i pafajshëm
Jaja Ture ka insistuar se vëllai Kolo ka përkrahjen e plotë të bashkëlojtarëve të tij te Mançester Siti, pas rezultatit pozitiv për doping. Ish-qendërmbrojtësi i Arsenalit, Kolo Ture, është pezulluar deri pas analizave të dyta dhe rrezikon dënim dyvjeçar nëse nuk arsyeton rezultatin pozitiv për një “substancë specifike”. 29-vjeçari beson se substanca erdhi nga një stimulues që përmbanin tabletat për dobësim të gruas së tij. Në përkrahje të vëllait të tij, ylli tjetër i Sitit, Jaja Ture, tha: “Kolo nuk ka përdorur asnjë substancë që është ilegale. Ai është i dëmtuar. I gjithë ekipi është ndikuar, sepse Kolo është anëtar i rëndësishëm për ne, njëri prej kapitenëve tanë, andaj kërkojmë zgjidhje të shpejtë të problemit. Ne kemi besim të plotë te Kolo. Kam ardhur te Mançester Siti për shkak të insistimit të vëllait tim. Për mua do të jetë shumë vështirë të luaj pa të”. Edhe menaxheri i Arsenalit, Arsen Venger, komentoi lajmin. “Ai është i dëshpëruar. Gabimi që ka bërë është se nuk u këshillua me stafin mjekësor të klubit, nëse duhej ta merrte atë”, tha Venger.