Superliga, fitojnë Skënderbeudhe Flamurtari, humb Tirana
TIRANE- Janë luajtur ndeshjet e javës së 29-të të Superligës, që në shumicën prej tyre, kanë qenë një teatër. Duke nisur nga zona e rënies, Teuta bëri një hap të rëndësishëm drejt mbijetesës, pas fitores 4-2 ndaj Elbasanit në transfertë. Frashëri ishte heroi i skuadrës durrsake me një dopietë. Ka fituar edhe Besa, që mposhti 3-2 Kastriotin, ndërkohë që Bylisi ka bërë detyrën në shtëpi përballë Shkumbinit, duke fituar 2-0 dhe duke dalë nga zona e ftohtë. Por, kjo ishte vetëm pjesa e fundit e renditjes. Përsa i përket kreut, si Skënderbeu, ashtu edhe Flamurtari, kanë arritur të fitojnë sërish. Korçarët mposhtën 2-0 Laçin në fushën e tyre, ndërsa vlonjatët fituan 6-2 ndaj Dinamos, në një ndeshje ku futbollistët e drejtuar nga Magani kanë qenë të papërmbajtshëm. Në këtë mënyrë edhe pas kësaj jave, Skënderbeu mbetet 2 pikë përpara Flamurtarit, ndërsa duket se shumë gjëra do të vendosen në takimin e javës së fundit në Vlorë. Një tjetër ndeshje e luajtur të mërkurën, ka qenë ajo për një vend në Europa League, mes Vllaznisë dhe Tiranës. Në fund, shkodranët kanë arritur të marrin 3 pikët, pas golit me penallti të Rajoviç.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)