E Shtunë, 31 Tetor 2026

Real Madridi fiton Kupën e Mbretit

Real Madridi ka regjistruar fitoren e parë kundër Barcelonës pas një kohë të gjatë, fitore e cila ua siguron madrilenëve trofeun e parë të sezonit.

Dy superfuqitë e futbollit botëror u takuan të mërkurën mbrëma në Mestalla për të zhvilluar finalen e Kupës së Mbretit, ndërsa me rezultat prej 1-0 Mbretërit dolën fitues.

Në gjysmën e parë Los Blancos ishin më mbresëlënës, ndërsa Blaugranët nuk arritën ta tregojnë atë që të dinë të bëjnë më mirë. Një rast për t`u përmendur ishte goditja e Pepes me kokë (44’) pas krosimit të Mesut Oezil. Por sidoqoftë, nuk pati gola.

Fraksioni i dytë i lojës i takoi Barcelonës që arriti ta imponojë lojën e saj. Megjithatë thuajse i gjithë takimi ishte një luftë taktike, por duhet lavdëruar edhe të dy portierët për ndërhyrjet e tyre.

Sido që të jetë, pas 90 minutave, rrjetat heshtën, kështu që u desh të zhvilloheshin vazhdimet për ta përcaktuar fituesin e Copa del Rey.

Loja e bukur vazhdoi edhe në pjesën e parë të vazhdimeve, ndërsa rezultati u zhbllokua në minutën e 103-të. Pas një kombinimi me Marcelon, Angel Di Maria krosoi në drejtim të Cristiano Ronaldos dhe portugezi me kokë mposhti portierin Pinto.

Katalunasit u munduan që në pjesën e dytë të vazhdimeve të bënin diçka, por ishin të pafuqishëm të thyenin taktikat e Jose Mourinhos, ashtu që Kupa e Mbretit u ngrit nga lojtarët me fanella të bardha.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›