Superliga, goditjet e fundit të merkatos

TIRANA – Ish-mesfushori i Partizanit, Bledar Devolli e ish-sulmuesi i Gaisit në Suedi, Migen Memelli janë dy "fytyrat" e reja në stërvitjen e Tiranës. Gjirokastriti nënshkroi një kontratë njëvjecare me opsion edhe për një vit tjetër me 23-herë kampionët, ndërsa pogradecari, i cili ka luajtur edhe në Norvegji me Bran Bergenin, ka nënshkruar për një vit e gjysmë.
ELBASANI - Gentian Stojku është rikthyer te Elbasani, ndërkohë që për provë te 2-herë kampionët e Shqipërisë në kampingun e Pogradecit janë duke u testuar dy lojtarë brazilianë: sulmuesi Silvano Lukas Megalhases (25 vjec) dhe mesfushori i avancuar Tony Helena Kosta De Pinho (25 vjec). Sulmuesi Oriand Abazaj ende nuk ka firmosur për Elbasanin.
VLLAZNIA – Problemi më i madh mbetet "cështja Admir Teli". Mbrojtësi shkodran vazhdon të endet midis klubit të tij të ri qipriot, Alki Larnaka dhe Vllaznisë, ku është i detyruar të luajë për Kupën UEFA kundër sllovenëve të Koperit. Vllaznia ndodhet në regjim kazerme dhe është akomoduar në hotel "Meteor" në periferi të Shkodrës. Ende nuk dihet fati i dy sulmuesve të huaj të saj, brazilianit Da Lima dhe cekut Mirosllav Millosh. Vioresin Sinani e ka të pamundur të luajë kundër Koperit, ndërsa dyshja sulmuese e fituesve të Kupës së Shqipërisë do formohet nga Albert Kaci e Xhevair Sukaj. Vllaznia fitoi dy testet miqësore me skuadrat malazeze: me Decicin 1-0 dhe Zetën 3-2.
TEUTA – Sulejman Starova nisi sot stërvitjen e parë me Teutën, skuadrën, të cilin e shpalli nënkampione në sezonin 2006-2007. Arben Likmetaj pohoi se me ardhjen e Starovës në stolin durrsak, Teuta synon një vend në Kupat e Europës. "Duam të ndërtojmë një ekip të kompletuar. Futbollistët e rinj janë të etur për sukses", - thotë 20-vjecari, lojtar i Kombëtares U-21. Faza përgatitore e Teutës do të kryhet në Pogradec, aty ku ndodhet edhe Elbasani.
BYLIS – Goditja e fundit në merkato e Bylisit quhet Klevis Dalipi. Goleadori i njohur elbasanas, me një të kaluar edhe në Portugali, nënshkroi një kontratë njëvjecare me presidentin Besnik Kapllanaj. Pak ditë më parë me skuadrën ballshiote kishte nënshkruar edhe vëllai i tij, Endri Dalipi. Bylisi, i drejtuar nga Faruk Sejdini, nisi grumbullimin në Pocem.
SHKUMBINI - Erion Rizvanolli, një nga tre blerjet e reja të skuadrës peqinase të ardhur nga Kastriot, së bashku edhe me Erald Turdiun e Elton Gramin, pohoi se shpreson të bëjë një sezon të sukesesshëm me Shkumbinin. "Ndryshe nga sezoni i fundit kur luajta me këtë skuadër, lufta për të mbijetuar në Superiore është zëvendësuar me objektiva ambiciozë". Shkumbini i Gugash Maganit, që po kryen aktualisht fazën përgatitore në Strugë të Maqedonisë, sezonin e kaluar u rendit në vendin e pestë.
FLAMURTARI –Skuadra vlonjate është në kërkim të një sulmuesi dhe një mesfushori të krahut të majtë, pas dështimit të tratativave me kroatët Vincetic e Gllavina. Flamurtari ndodhet në kampingun e Mavrovës në Maqedoni, ndërkohë që për kompletimin e skuadrës së drejtuar nga Slavko Kovacic, po punon menaxheri Adrian Aliaj. Lajmi i fundit ka të bëjë me mesfushorin Arlind Rustemi, i cili ndodhet në Romë të Italisë për një vizitë mjekësore.
LUSHNJA- Sulmuesi Klodian Arbëri ka nisur stërvitjen me skuadrën lushnjare, pas dy vitesh mungesë nga futbolli i luajtur. "Nuk e mohoj, që për mua do të jetë shumë e vështirë,por me mendoj se me vullnetin që kam do t'i kaloj të gjitha pengesat". Me Lushnjën luajnë edhe nipërit e tij, Gersi e Polizoi Arbëri. Te Lushnja pritet firma e Blerim Hasallës, ndërkohë që Saimir Xhagalliu nuk ka pranuar ofertën e bërë nga klubi.
APOLONIA– Mbrojtësi tiranas, Nerion Spaho, i cili luajti edhe sezonin e kaluar me skuadrën fierake, beson se Apolonia do të arrijë të mbijetojë midis 12 më të mirave të Shqipërisë. Gjithsesi, Spaho pohon se skuadrës së Gerti Haxhisë i duhen edhe disa përforcime me lojtarë cilësorë.