E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superliga, në aksion pas “pushimit”

Superliga do të rikthehet në aksion pas “pushimit” për shkak të përmbytjeve në Shkodër dhe disa qytete të vendit. Java e 14-të ofron sfida interesante, me tre ekipet kryesuese – Flamurtari, Skënderbeu dhe Dinamo – që luajnë në fushat e tyre.

Në “Adush Muça” të Ballshit, Bylisi, që eliminoi Flamurtarin nga vazhdimi i Kupës së Shqipërisë, do të presë rekordmenen e vendit, Tiranën, me shpresë se faktori fushë do të ndikojë të fitojë pas 10 vjetësh ndaj bardhebluve – për herë të fundit ka fituar më 21 tetor të vitit 2010 (1-0). 

Me tri mungesa të rëndësishme në formacionin titullar – Kule, Begaj dhe Guy Madjo – formacioni i Nikola Ilievskit do ta ketë vështirë të regjistrojë fitoren e 4-t sezonale, ndaj një Tirane me të cilën e ndajnë 10 pikë.

Kryeqytetasit – ende me krizën e rrogave të papaguara  - do të jenë pa kapitenin Muka e mesfushorin Karabeci, por trajneri Nevil Dede beson se skuadra e ka rigjetur veten për të shmangur humbjen e katërt në transfertë, teksa si objektiv “4 fitore në 4 ndeshjet e radhës”.

Laçi e Vllaznia fituan me të njëjtin rezultat 4-0 në ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, respektivisht ndaj formacioneve të dyta të Gramozit dhe Elbasanit, por përballë njëra-tjetrës 90-minutëshi në Laç do të jetë një sfidë reale.

Laçjanët e Stavri Nicës nuk falin shtëpi: 5 fitore në 6 ndeshje, ndërkohë që shkodranët e tashmë të rigjeneruar nga Mirel Josa synojnë të arrijnë fitoren ashtu siç kanë bërë në Kavajë dhe Tiranë.

Laçi do të jetë pa Shazivarin, Buljanin dhe Mustafaraj, por Nicës i rikthehen Mile dhe Rexha, ndaj një Vllaznie pa asnjë mungesë dhe nën presionin e presidentit Valter Fushaj. Dy skuadrat do të përballen edhe në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë.

Kastrioti do të ketë një përballje stërvitore me Elbasanin – totalisht në krizë financiare – e që do të paraqitet në Krujë në versionin “U-19”, ashtu siç veproi kur udhëtoi drejt Shkodrës për Kupën e Shqipërisë.

Me pesë pikë më shumë se Elbasani (9), Kastrioti (14) e shikon si një mundësi të artë sfidën ndaj verdhebluve për t’u shkëputur sa më shumë nga vendet e fundit. Kastrioti ka grumbulluar 11 nga 18 pikët e mundshme në shtëpi, ndërsa Elbasani ka regjistruar vetëm 1 fitore dhe 5 humbje në transfertë.

Në takimet e ditës së shtunë, spikasin Skënderbeu-Shkumbini (me debutimin e Përparim Daiut në kampionat) dhe Dinamo-Teuta.

Të hënën, java e 14-të mbyllet me ndeshjen Flamurtari-Besa, ose e përkthyer me “gjuhën e renditjes”, kreu kundër bishtit të kampionatit.

KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 14

Të shtunën, 11 dhjetor
Laçi-Vllaznia        13:00
Bylis-Tirana        13:00
Kastrioti-Elbasani    13:00

Të dielën, 12 dhjetor
Skënderbeu-Shkumbini    13:00
Dinamo-Teuta        13:00

Të hënën, 13 dhjetor
Flamurtari-Besa        13:00

RENDITJA

1. Flamurtari     28
2. Skënderbeu     25
3. Dinamo        24
4. Tirana        21
5. Vllaznia    21
6. Teuta        18
7. Laçi         17
8. Shkumbini    17
9. Kastrioti    14
10.Bylis        11
11.Elbasani    9
12.Besa        9

* Elbasani është penalizuar nga FIFA me –3 pikë

Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter

E Premte, 10 Dhjetor 2010

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›