Vllaznia, tri pikë të çmuara në Laç

Vllaznia mori tri pikë të merituara në fitoren 1-0 në Laç, në ndeshjen e vlefshme për javën e 14-të të Kategorisë Superiore. Golin e vetëm të takimit e realizoi mbrojtësi 21-vjeçar Olsi Gocaj në minutën e 17-të, i cili i dhuroi shkodranëve fitoren e tretë në transfertë, por dhe ktheu golaverazhin më shenjën “plus”. Një Vllazni tashmë në kuotën e 24 pikëve (po aq sa Dinamo) dhe në vendin e katërt, teksa dëshmon se afrimi i Mirel Josës po prodhon rezultate dhe pikë të çmuara. Në pesë javët e ish-trajnerit të Shkumbinit, Vllaznia ka grumbulluar 10 pikë, ndërkohë që kuqeblutë nuk e njohin humbjen nga java e 9-të.
Kastrioti fitoi 3-1 me Elbasanin në Krujë, ndaj një skuadre verdheblu jo në kondicionin e duhur fizik, për shkak të bojkotimit disaditor të stërvitjes. Drejtuesit e Elbasanit një ditë më parë kryen edhe pagesat e prapambetura ndaj lojtarëve, të cilët u bindën të udhëtonin me Krujë nën urdhrat e trajnerit Krenar Alimehmeti. Mesfushori Enkel Alikaj në të 45’ (goli i tij i dytë sezonal), braziliano-kroati Robert Alvizh në 57’ (goli i tij i dytë sezonal) dhe sulmuesi kroat Ivan Babiç në të 59’ (goli i tij i pestë sezonal) e çuan rezultatin në 3-0 përpara se Endri Dalipi i Elbasani të shënonte golin e nderit për Elbasanit. Kjo ishte rrjeta e pestë për 27-vjeçarin. Tri pikë të çmuara për Kastriotin, të barazuar në kuotën e 17 pikëve me Laçin, por me krutanët që mbajnë vendin e tetë.
Në “Adush Muça” të Ballshit, Lilaj, me golin e tij në minutën e 94-të i dha një një pikë të çmuar Tiranës së tij në barazimin 1-1 ndaj Bylisit vendas. Popoviç shënoi për Bylisin në minutën e 48-të. Për Bylisin kjo ishte hera e katërt që pëson gol në minutat shtesë, duke ia hequr mundësinë ose të shmangë humbjen apo të marrë fitoren, kështu i ka ndodhur në humbjet me Vllazninë dhe Elbasanin, por dhe në barazimet me Skënderbeun dhe Tiranën. Një pikë me vlerë për Bylisin në luftën për mbijetësë, ndërsa edhe për Tiranën duhet të thuhet se shmangu humbjen e pestë sezonale.
Ditën e diel do të përballen çiftet Skënderbeu-Shkumbini (me debutimin e Përparim Daiut në kampionat) dhe Dinamo-Teuta. Të hënën, java e 14-të mbyllet me ndeshjen Flamurtari-Besa, ose e përkthyer me “gjuhën e renditjes”, kreu kundër bishtit të kampionatit.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 14
Të shtunën, 11 dhjetor
Laçi-Vllaznia 0-1
Bylis-Tirana 1-1
Kastrioti-Elbasani 3-1
Të dielën, 12 dhjetor
Skënderbeu-Shkumbini 13:00
Dinamo-Teuta 13:00
Të hënën, 13 dhjetor
Flamurtari-Besa 13:00
RENDITJA
1. Flamurtari 28
2. Skënderbeu 25
3. Dinamo 24
4. Vllaznia 24
5. Tirana 22
6. Teuta 18
7. Shkumbini 17
8. Kastrioti 17
9. Laçi 17
10.Bylis 12
11.Elbasani 9
12.Besa 9
* Elbasani është penalizuar nga FIFA me –3 pikë
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Shtune, 11 Dhjetor 2010