E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superliga rruga e titullit

Shumëçka do të vendoset në ndeshjen e Korçës, ende në fillim të prillit, kur Tirana do të shkojë në fushën e Skënderbeut. Titulli kampion në Shqipëri është krejt i pasigurt se te kush do të shkojë, ndërsa Teuta hyri me forcë në garë pas fitores në stadiumin “Skënderbeu”. Durrsakët do ta kenë një sy në Korçë kur dy rivalët të ndeshen mes tyre, pasi ata mund të përfitojnë.
Përtej kësaj sfide, korçarët e trajnerit Levi do të kenë kalendarin më të vështirë me 4 ndeshje jashtë fushe ndër 7 që kanë mbetur. Në Krujë, Vlorë dhe Ballsh nuk do të jetë aspak e lehtë, për të mos thënë të kundërtën. Sfidat vijnë radhazi. Në fillim Kruja, pastaj Tirana në Korçë, më tej shkohet në tmerrin e Vlorës, pritet Vllaznia dhe udhëtohet për në Ballshin e frikshëm.
Tirana, përveç Korçës, do të ketë kalendar krejt të pranueshëm. Në 6 ndeshjet e tjera, praktikisht nuk luhet asnjëherë në fushë kundërshtare, pasi me Dinamon takimi do të jetë në “Qemal Stafa” dhe me Laçin në fushë asnjanëse. Katër ndeshjet e tjera janë në shtëpi.
Së fundi, Teuta e vendit të tretë, por vetëm 1 pikë larg kreut. Durrsakët luajnë 3 herë jashtë, ndonëse do të jenë udhëtime të shkurtër, në shtëpitë e Dinamos, Laçit dhe Katriotit. Në Durrës do të shkojnë Tomori, Shkumbini, Kamza e Pogradeci, pra ekipi i Likës thuajse nuk do të luajë me asnjë rival të vendeve të larta të tabelës, me përjashtim të krutanëve.
Gjithsesi, ndërsa Superliga i afrohet fundit, asnjë kundërshtari nuk i merren dot pikët lehtë, ndaj titulli mbetet në pikëpyetje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›