Të dielën Barcelona-Real, gjithë bota pret El Classico
MADRID- Barcelona dhe Reali i Madridit do të përballen me njëra-tjetrën të dielën në mbrëmje në “Kamp Nou”, vetëm pak muaj larg triumfit 6-2 të katalanasve në Bernabeu. Këtë herë pritet të zhvillohet një nga El Klasikot më të forta të historisë, duke edhe përbërjen e dy skuadrave në fushën e lojës. Barcelona do të rreshtojë në fushë futbollistë si Ksavi, Iniesta, Mesi apo Ibrahimoviç, ndërsa përballë do të jenë Kaka, Kristiano Ronaldo, Benzema apo Ksabi Alonso. Javën e shkuar Reali mori për herë të parë kreun e renditjes, duke lënë Barçën në vend të dytë. Skuadra e Guardiolës vjen në këtë ndeshje pas fitores spektakolare 2-0 kundër Interit dhe me rekordin e 5 fitoreve në “Kamp Nou”. “Kjo është ndeshja e vitit jo vetëm në Spanjë, por në të gjithë botën”, ka deklaruar Zllatan Ibrahomoviç. “Nuk jam i shqetësuar, sepse Barcelona është një skuadër e madhe që ka lojtarë klasi në çdo repart”, deklaroi më tej ai. Ibra pritet të rikthehet në fushë pas dëmtimit të pësuar pak javë më parë, ashtu si Lionel Mesi. Në krahun tjetër, ndeshja me Barcelonën është një test për forcën e Realit të krijuar nga Perez. Presidenti madrilen shpenzoi 252 milionë euro në merkaton e verës duke blerë disa nga futbollistët më të mirë në qarkullim. Veç kësaj, shumë prej lojtarëve të Realit dëshirojnë të hakmerren për dy humbjet e sezonit të shkuar. “Ne i respektojmë kundërshtarët tanë, por nuk kemi aspak frikë nga ata, - deklaroi Kristiano Ronaldo. – Nuk ka asnjë favorit në këtë ndeshje, duhet ta harrojmë atë çfarë ka ndodhur vjet dhe të mendojmë për të ardhmen”, shtoi ylli portugez. Ronaldo u rikthye të martën në stërvitje dhe për të, ndeshja e së dielës ka gjithashtu një domethënie të veçantë pas finales së Champions League të humbur vjet në Romë. “Kjo nuk është finalja e Champions, por një ndeshje normale kundër kundërshtarit më të fortë dhe në fund, rëndësi kanë vetëm 3 pikë”, deklaroi më tej Kristiano Ronaldo.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)