Supernova do të jetë e dukshme nga Toka

Shpërthimi i yllit, i shkaktuar nga kolapsi i një ylli në distancë prej 21 milionë vit drite nga Toka, ka nisur para disa ditësh dhe pas një ose dy javësh do të jetë mjaft i ndritshëm sa do të mund të shikohet me dylbi, kanë bërë të ditur astronomët e Universitetit Oksford.
Ky është njëri nga shpërthimet më të afërta të yjeve me Tokën që nga viti 1987, ndërsa supernova më e afërt e këtij lloji - “1a” - do të jetë e dukshme nga planeti ynë pas 40 vjetësh.
Shpërthimi ka ndodhur në galaktikën M101, në plejadën e Ariut të Madh. Kjo ngjarje është me rëndësi të veçantë për shkencëtarët, pasi që supernova “tip 1a”- kur ylli shpërthen dhe më pas thith energjinë e yllit të afërt dhe serish “lind”- mund të përdoret për matjen e madhësisë dhe vjetërisë së universit.
Supernova, e quajtur PTF11kly, është afër, gjë e cila astronomëve do t’iu mundësojë studimin e hollësishëm. Shkencëtarët e NASA-s po e përcjellin këtë zhvillim kozmik përmes teleskopit të Habllit.
Në tri javët e para pas shpërthimit, supernova do të digjet me intensitet shumë të madh, por edhe më tej do të jetë vështirë që të përcaktohet lokacioni i tij gjatë natës në qiellin e Tokës.
“Koha më e mirë për të parë yllin duke shpërthyer do të jetë pas rënies së muzgut në hemisferën veriore pas gati një ose dy javësh. Kushtet për shikim janë qielli i errët dhe dylbitë e mira, madje edhe më i mirë është një teleskop i vogël”, ka thënë udhëheqësi i ekipit shkencor nga Oksfordi, Mark Saliven.