E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bijtë e humbur të Saharasë

Në fillim të shekullit të 20-të, tuaregët ishin të fundit nga popujt e Afrikës Perëndimore që u “paqësuan” nga francezët dhe tokat e tyre u absorbuan në Niger, Mali, Algjeri dhe Libi. Këto qeveri në përgjithësi kanë injoruar pakicën e tyre tuarege, duke i lënë që të bredhin nëpër shkretëtirë, me bagëtitë e tyre. Por tuaregëve kjo tani nuk ju mjafton. Nga Express më 29 gusht 2011 në ora 08:45

Komandanti i kryengritësve, me fytyrën e tij të fshehur prapa një turbani të zi, na udhëheq përskaj vrimave të shkaktuara nga predhat. Me pothuajse çdo hap që e bëjmë, ne shkelim mbi copa të predhave.

“Shkelni aty, ku shkeli unë”, thotë ai, duke nënvizuar se ushtria e Nigerit e ka minuar rajonin, pikërisht vendin ku dikur ekzistonte një shkollë për tuaregët.

Luftëtarët e tij kanë hequr disa mina, të tjerat kanë mbetur të mbuluara nën rërë.
Është e pasdite e vonë dhe temperaturat më në fund kanë filluar të ulën. Në këtë luginë të vetmuar, të quajtur Tazerzait, ku Air Massif puqet me rërën e Saharasë, luftëtarët e komandantit kanë shënuar fitore të mëdha, në kryengritjen e tyre dyvjeçare kundër qeverisë së Nigerit.

Kryengritësit, të gjithë tuaregë etnik, pasardhës të nomadëve, për shekuj me radhë kanë dominuar tregtinë me ari dhe skllavë në këtë rajon të Afrikës së Veriut.

Duke luftuar nën emrin e Lëvizjes së Nigerianëve për Drejtësi, ata kanë kapur 72 pjesëtarë të forcave qeveritare në Tazerzait dhe kanë ripërsëritur kërkesën e tyre që qeveria të ndajë të ardhurat, të cilat i merr nga një burim tjetër i thesarit: minierat e uraniumit në tokat e tuaregëve. Në shenjë të vullnetit të mirë, tuaregët kanë liruar të gjithë të burgosurit e tyre, me përjashtim të njërit. “Ai është kriminel lufte”, thotë komandanti.

“Babai im ka ditur të jetojë vetëm në shkretëtirë. Ai dinte se si të gjuante antilopa në kanjone dhe dele të egra në male. Por jeta e shkretëtirës po merr fund. Fëmijet tanë kanë nevojë për shkolla”, thotë komandanti më tutje.

Ushtria e Nigerit ka pësuar disa humbje kundër tuaregëve, por ka reaguar me blerje të helikopterëve dhe kryengritësit së fundi janë befasuar nga një sulm, gjatë së cilit u vranë disa luftëtarë, përfshirë këtu edhe një prej udhëheqësve të tyre.

“Ata blejnë helikopterë për të na luftuar, por nuk hapin shkolla apo burime të ujit për ne”, thotë komandanti.

Në fillim të shekullit të 20-të, tuaregët ishin të fundit nga popujt e Afrikës Perëndimore që u “paqësuan” nga francezët dhe tokat e tyre u absorbuan në Niger, Mali, Algjeri dhe Libi. Këto qeveri në përgjithësi kanë injoruar pakicën e tyre tuarege, duke i lënë që të bredhin nëpër shkretëtirë, me bagëtitë e tyre.

Por gjatë dekadave të fundit, kur u pakësuan reshjet gjatë periudhave të lagështisë, familjet tuarege e kishin gjithnjë e më vështirë që të mbanin kopetë e tyre. “Kafshët janë çdo gjë për tuaregët”, kishte thënë dikur një nomad i moshuar. “Ne pimë qumështin e tyre, hamë mishin e tyre, përdorim lëkurën e tyre, bëjmë tregti me to. Kur kafshët ngordhin, vdesin edhe tuaregët”.

Me kopetë e tyre gjithnjë e më të vogla, shumë tuareg në Nigeri filluan të pyesin se pse qeveria nuk po ndan të ardhurat, të cilat po i siguron nga nxjerrja e uraniumit në tokat e tuaregëve. Gjatë viteve të 90-ta, njësitë tuarege, shumica prej tyre të trajnuara dhe të armatosura nga Muammar Gaddafi, luftuan pikërisht për këtë çështje kundër ushtrisë së Nigerit. U nënshkrua një marrëveshje paqësore, por gjërat nuk ndryshuan.

Në vitin 2007, qeveria po negocionte kontrata me Francën, të projektuara për ta shndërruar Nigerin në prodhuesin e dytë më të madh të uraniumit në botë. Por pasi që qeveria refuzoi të investojë në rajonet e nomadëve, tuaregët u rebeluan sërish.

Në ndërkohë, në këtë rajon rrënjë kanë lëshuar edhe trafikuesit e drogës dhe degë të Al Qaedes, ndërsa qeveria e Nigerit akuzon tuaregët se po bashkëpunojnë me ta.

Ngjyra e lëkurës së tuaregëve është e errët, ndërsa hundët i kanë të gjëra. Por pa marrë parasysh ngjyrën e lëkurës, shumë prej tyre kanë sy të kaltër. Siç dihet, tuaregët kanë marrë skllav nga fiset tjera dhe janë martuar më vonë me ta. Kjo e shpjegon këtë përzierje te gjeneve tek ky popull. Rezultati është një grup etnik, që karakterizohet nga gjuha e përbashkët, gjuha tamashek.

Me rënien e errësirës, kryengritësit grumbullohen pranë komandantit. Disa nga luftëtarët e pranishëm aty janë trajnuar në kampet në Libi. Si të ri, ata kishin dëgjuar deklaratat e Gaddafit se ai simpatizon me tuaregët dhe ftesën e tij që ata të shkojnë në Libi, me qëllim që t’iu ndihmoj që të luftojnë për të drejtat e tyre.

Por pasi shkuan atje, ata kuptuan se diktatori i Libisë po i shfrytëzonte ata. Disa u dërguan të luftojnë në Liban, të tjerët u përfshinë në aksion, kur Libia sulmoi Çadin.

“Edhe ne e kemi shfrytëzuar Gaddafin”, thotë një kryengritës, duke nënvizuar se tuaregët nga Mali dhe Nigeri kanë kontrabanduar armë nga kampet, për të luftuar qeveritë e këtyre vendeve.

Të pyetur për akuzat e qeverisë së Nigerit, se kanë lidhje me trafikantët e drogës dhe Al Qaedes, njëri nga kryengritësit përgjigjet:”A po dukemi ne si trafikantë të pasur?”

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›