Supervjedhja e biznesmenit, nga shtëpia ngjitur
TIRANE - Vjedhja e parave në shtëpinë e biznesmenit të ndërtimit Ilirian Çela ka qenë e studiuar prej kohësh, e realizuar nga profesionistë që mund të jenë persona të njohur të sipërmarrësit. Policia ka zbardhur skemën si është realizuar vjedhja e një shume parash, që deri tani dyshohet të jetë mbi 600 milionë lekë të vjetra. Një shifër e saktë lidhur me paratë e vjedhura, që ndodheshin në kasafortën e biznesmenit Çela, ende nuk është përcaktuar, pasi gjatë deklarimeve të tij, as vetë biznesmeni nuk ka mundur të kujtojë sa para kishte lënë aty para se të nisej për në Hungari, ku jetonte gruaja dhe 3 fëmijët e tij. Personat që kanë realizuar vjedhjen kanë arritur të futen në pallatin e ri, tek rruga "Hamit Shijaku" pranë Ministrisë së Drejtësisë në Tiranë, duke përfituar nga fakti se dera e hyrjes kryesore kishte mbetur e hapur. Më pas ata janë ngjitur në katin e tetë, një kat më poshtë apartamentit së biznesmenit. Sipas burimeve të policisë, veprimet janë realizuar në katin e tetë, pasi "puna" e hajdutëve në katin e fundit do të ishte më e vështirë, sepse para se të shkoje tek dera e banesës së Çelës, duhet të kaloje edhe dy dyer të tjera që ishin të mbyllura. Plani ka qenë i studiuar mirë nga hajdutët, të cilët kanë nisur të ndërhyjnë në një apartament të pabanuar në katin e tetë. Ata e kanë prerë derën e blinduar me oksigjen në dy vende, deri sa kanë arritur ta hapin. Më pas kanë kaluar nga ballkoni i apartamentit ku ishin futur, në ballkonin e apartamentit ku ndodhet zyra e biznesmenit. Apartamenti nga i cili hajdutët kaluan në shtëpinë e biznesmenit ndodhej ngjitur me shtëpinë e tregtarit dhe autorët e ngjarjes duket se kanë përfituar nga afërsia mes ballkoneve të tyre. Pasi kanë hyrë në dhomën ku ishte kasaforta, hajdutët e kanë hapur atë duke e djegur me oksigjen dhe më pas kanë tërhequr të gjitha paratë që ndodheshin aty, një shumë që dyshohet se kap shifrën e mbi 600 milionë lekësh të vjetra. Oficerët e Seksionit të Vjedhjeve Kundër Biznesit kanë marrë në pyetje dje për disa orë biznesmenin Ilirian Çela, i cili ishte kthyer nga Hungaria në orët e para të mëngjesit, sapo ka mësuar lajmin. Ndërkohë burimet tregojnë se gjatë deklarimeve të tij, ai nuk ka mundur të japë një shifër të saktë të parave që ndodheshin në kasafortën e vjedhur. e.d