E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djali i pastrueses, gjobë kryebankierit

 

Trazhgim Sokolaj

Arrestohet autori i gjobës 100 mijë euro dhe kërcënimeve në adresë të familjes së drejtorit të Bankës së Bashkuar Arabe në Tiranë. Lulëzim Makisti, 27 vjeç, banues në Tiranë, ra në prangat e policisë mbrëmjen e së martës me akuzën e "shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie". "Gjobëvënësi" mësohet se është djali i një gruaje në moshë, e cila është e punësuar si pastruese në shtëpinë e kryebankierit egjiptian, i cili banon në Tiranë prej më se dhjetë vitesh. Arrestimi i të dyshuarit për kërcënimet është kryer me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila më 26 shkurt 2009 filloi hetimet për kërcënimet e bëra në adresë të drejtorit të bankës ABA, shtetasit egjiptian Ehad Shukri Saad, 43 vjeç. Ky i fundit denoncoi në polici dhe prokurori mesazhet telefonike të mbërritura në celularin e të shoqes, në të cilat thuhej se nëse nuk dorëzonte 100 mijë euro, jeta e vajzës dhe familjes së tij ishte në rrezik. Prokuroria e Krimeve të Rënda filloi menjëherë hetimet për "gjobëvënien", por identifikimi i autorit ishte i vështirë. Numri nga i cili ishin dërguar mesazhet ishte regjistruar me një emër të rremë, pasi përdoruesi kishte paraqitur pranë kompanisë një certifikatë të falsifikuar. Prokuroria verifikoi numrin celular që kishte dërguar mesazhet dhe pronar i tij rezultoi emri i një personi që nuk ekzistonte. Në këto kushte hetimi mbeti pezull, ndërsa dëshmitë e drejtorit të bankës, gruas së tij dhe mesazhet e dorëzuara si prova në prokurori, dukej se nuk mjaftonin për zbulimin e autorit të ngjarjes. Hetimi nuk pati ndonjë rezultat deri më 20 prill 2009, kur duket se numri celular i përdorur për kërcënimin e kreut të Bankës së Bashkuar Arabe, është vënë në përdorim. Një gjë e tillë është pikasur menjëherë nga policia dhe prokuroria, e cila ka nisur përgjimin e numrit në fjalë. Interceptimi elektronik ka zbardhur disa prej komunikimeve të bëra nga ky numër si dhe faktin më të rëndësishëm, pozicionin gjeografik të përdoruesit të kartës SIM. Duke iu referuar të dhënave të marra nga përgjimi, agjentët e policisë kanë ndjekur në terren përdoruesin e numrit që ishte përdorur për kërcënimin e kreut të bankës ABA, duke mbërritur te Lulëzim Makisti. Gjatë verifikimeve rreth tij është mësuar se nëna e 27-vjeçarit, Esma Makisti, ishte e punësuar si pastruese në shtëpinë e drejtorit të bankës. Pasi është provuar se djali i pastrueses së drejtorit të bankës ishte autori i ngjarjes, më 26 prill 2009, ndaj tij është kërkuar masë arresti në mungesë në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Pastruesja e bankierit, merret në hetim
TIRANE - Pas arrestimit të 27-vjeçarit të akuzuar si autor i kërcënimeve dhe gjobëvënies ndaj bankierit egjiptian, Prokuroria ka marrë si person në hetime dhe nënën e tij, Esma Makisti. Ajo punon pastruese në banesën e biznesmenit të huaj, që ndodhet tek rruga "Muhamet Gjollesha" në Tiranë. Gruaja në fjalë dyshohet se ka dijeni për ngjarjen, madje besohet se është implikuar, pasi ka informuar të birin për sasinë e parave që zotëronte biznesmeni 43-vjeçar nga Egjipti. Më 24 shkurt 2009, rreth orës 15:00, në celularin e gruas së drejtorit të bankës mbërritën mesazhe kërcënuese, ku thuhej se nëse nuk dorëzohej shuma prej 100 mijë euro, jeta e vajzës së biznesmenit dhe krejt familjes së tij ishte në rrezik serioz. Hetimi filloi pas denoncimit të bërë nga vetë drejtori i bankës në polici dhe prokurori.                       t.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›