E Shtunë, 31 Tetor 2026

Surpriza Japonia mposht Spanjen

Japonia prodhoi surprizën e parë në turneun e futbollit në Lojërat Olimpike, pasi ata debutuan në “Londër 2012” me fitoren 1-0 përballë Spanjës, skuadrës që cilësohej si favorite për medaljen e artë. Ndërkohë, një tjetër skuadër pretendente, Brazili, fitoi me vështirësi 3-2 përballë egjiptit, në ditën e parë të aktivitetit në futboll për meshkuj. Spanja, që pretendon të bëhet ekipi i parë në histori që mban njëkohësisht titullin botëror, titullin europian dhe titullin olimpik, u trondit në “Hampden Park”. Iberikët e mbyllën ndeshjen e Grupit D me 10 lojtarë, pas kartonit të kuq të Martinez përpara fundit të pjesës së parë dhe nuk arritën ti përgjgijeshin golit të japonezëve me Juki Otsu në të 34-tën.
Në sfidën tjetër të këtij grupi, Hondurasi barazoi 2-2 me Marokun. Humbja e Spanjës në ndeshjen e parë ka bërë që tashmë të rriten kuotat e Brazilit për medaljen e parë të artë olimpike. “Seleçao” e nisi aventurën në “Londër 2012” me fitoren 3-2 përballë Egjiptit. Brazilianët kryesonin 3-0 pas vetëm 30 minutave lojë me rrjetat e Rafael, Leandro Damiaos dhe Nejmar. Egjipti shkurtoi shifrat në pjesën e dytë të takimit me Abutrika dhe Salah, por edhe pse kishin 14 minuta në dispozicion, ata nuk arritën të shënonin golin e barazimit. Në sfidën tjetyër të Grupit C, Bjellorusia dominoi sfidën me Zelandën e Re dhe fitoi 1-0 me golin e Dmitrej Bagas.
Uruguaji, që është kthyer në Olimpiadë për të parën herë që prej 1928-ës, vit në të cilin kanë fituar medaljen e tyre të dytë të artë, fiton 2-1 me përmbysje kundër Emirateve të Bashkuara Arabe. Për kampionët e Kupës së Amerikës, golat u shënuan nga Ramirez dhe Lodeiro. Organizatorët e Britanisë, që paraqiten për herë të parë në Lojërat Olimpike pas 52 vjetësh mungesë, kanë zhgënjyer në debutim. Pavarësisht 72 mijë tifozëve të pranishëm në “Olld Traford”, britanikët barazuan 1-1 me Senegalin, me Konate që iu përgjigj golit të Bellami. Në takimin tjetër të Grupit B, Koreja e Jugut dhe Meksika u ndanë në barazim 0-0. Zvicra barazoi 1-1 përballë Gabonit, me golin që ka pak shije shqiptare, pas avantazhit të helvetikëve me Admir Mehmedin. Por, Gaboni barazoi me Aubamejang, ndërsa zviceranët e mbyllën takimin me 10 lojtarë, pas kartonit të kuq të Oliver Buf.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›