Berisha Ne kete gare do te nderoni veten dhe kombin tuaj
Kryeministri Berisha, pjesëmarrës në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Londër 2012, u takua me ekipin olimpik shqiptar në një pritje të organizuar në ambasadën e Shqipërisë në Londër. Krahas tij sportistët shqiptarë u inkurajuan edhe nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe ministrat e Kulturës dhe Sporteve të dy shteteve shqiptare Aldo Bumçi dhe ai i Kosovës Memli Krasniqi, përfaqësues të komunitetit shqiptar në Londër dhe miq britanikë me kontribut në zhvillimet e të Shqipërisë. Kreu i delegacionit shqiptar në Lojërat Olimpike Viron Bezhani, në emër të të gjithë ekipit, tha se ëndrra e sportistëve është ngritja lart e flamurit shqiptar dhe se ata do përpiqen shumë ta arrijnë. Kryeministri Berisha u uroi sportistëve suksese në garimin e tyre, duke shprehur njëherësh besimin se në këtë garë, ata do të arrijnë të zënë vendet që meritojnë.
“Suksese dhe jam i sigurt se suksesin e parë që kishit me ardhjen tuaj këtu, do ta shoqëroni me një sukses të dytë, duke zënë vendet që meritoni. Sytë e shqiptarëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e kudo që ndodhen janë të drejtuar tek ju, me urimin më të mirë për një sukses të dytë, pasi jam plotësisht dakord me Presidenten Jahjaga se suksesi i juaj i parë është që jeni këtu si përfaqësues të kombit shqiptar. Ndaj jam i bindur se në këtë garë, më e bukura që organizon njerëzimi, ju do të nderoni veten dhe kombin tuaj”, u shpreh Kryeministri.
Një përshëndetje të veçantë, Kryeministri Berisha dhe presidentja e Kosovës i drejtuan sportistes kosovare, Majlinda Kelmendi, për prezencën e saj në ekipin olimpik, e cila garon në disiplinën e xhudos, duke përfaqësuar ngjyrat kombëtare .
“Ju vini këtu si ekipi i një kombi të bashkuar dhe kjo e ka simbolikën e madhe. Majlinda, ti je faktori më kryesor i këtij ekipi të përbashkët dhe të gjithë jemi tifozët e tu dhe kemi shumë besim se ky akt i yti do të kurorëzohet me suksesin që ti meriton dhe të gjithë sportistët tanë meritojnë”, vuri në dukje kreu i ekzekutivit shqiptar.
Kryeministri Berisha falënderoi edhe miqtë britanikë, jo vetëm për prezencën në pritje, por edhe për mbështetjen që i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë dhe angazhimin e kahershëm të tyre në zhvillimet në vend.
“Ajo ka pasur në gjirin e saj personalitete të jashtëzakonshme, që i deshën shqiptarët me ndjenjat më të pastra, që bënë avokatinë e shqiptarëve, në këto 100 vjet, në mënyrë të pandërprerë. Ne u jemi shumë mirënjohës anëtarëve të kësaj shoqate, personaliteteve të shquara, miq të mëdhenj të kombit shqiptar, të cilët kanë një kontribut të madh në lirinë e shqiptarëve në këto 100 vite. Këtu kemi edhe miq të tjerë, njëri nga të cilët është JohnValuinen, një lloj Nënë Tereze për Shqipërinë e shqiptarët”, nënvizoi ai.
Kryeministri rrëfeu se në vitin 1991, kur vendi ishte buzë një katastrofe reale njerëzore John Valuinen mobilizoi ndihma humanitare dhe në krye të një karvani, erdhi në Shqipëri. Ndihma e tij ishte e treta pas atyre të Komisionit Europian dhe Italisë. Përveçse mik i shquar i shqiptarëve ai është edhe konsulli ynë i nderit.