Hysen Pulaku jashte Londer 2012

Zbret në dhjetë numri i sportistëve shqiptarë që do të konkurrojnë në Lojërat Olimpike, “Londër 2012”. Kjo pasi peshëngritësi Hysen Pulaku është përjashtuar nga evenimenti më prestigjioz sportiv, pasi analiza e testit “B” rezultoi sërish pozitive, duke konfirmuar përdorimin e dopingut nga 20-vjeçari nga Elbasani.
Shefi i misionit olimpik shqiptar në Olimpiadë, Viron Bezhani tregoi se pavarësisht tronditjes nga ky episod, sportistët e ekipit kuqezi do të synojnë të japin maksimumin.
Pulaku ka rezultuar pozitiv me hormonin sintetik “Stanozolol”. Ekipi kuqezi i shtangës në “Londër 2012” nuk rrezikon, ndërsa për sportisin pritet një pezullim që varion nga 2 deri në 4 vjet. Nga ana e tij, Bezhani nënvijëzon se Shqipëria ëndërron të fitojë medalje olimpike, por jo në këtë mënyrë.
Hysen Pulaku bëhet peshëngritësi i katërt shqiptar që ka rezultuar pozitiv pas analizave anti-doping në harkun e nëntë muajve. Ky problem jo vetëm që ndikon imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, por ndikon edhe në uljen e kredibilitetit rreth sportit më të suksesshëm shqiptar.