E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana, gati të bëjë gjithçka për Gerets

Lorik Cana është i gatshëm që të bëjë gjithçka, për të bindur trajnerin Erik Gerets që të qëndrojë në krye të Olimpikut të Marsejës. Edhe pse i mungon skuadrës për shkak dëmtimi, pesha e mesfushorit shqiptar në klubin francez ndihet nga të gjithë. Sipas revistës "L‘Equipe", 25-vjeçari do të përdorë të gjitha mënyrat që të bindë teknikun belg për të rinovuar kontratën edhe për sezonin e ardhshëm. "Lorik Cana, kapiteni marsejez, është i gatshëm të sakrifikojë shumë, vetëm për të bindur Gerets të qëndrojë në skuadër edhe për edicionin tjetër. Pas pak ditësh, mesfushori shqiptar ka planifikuar që të takohet me drejtuesin e stolit, për të diskutuar. Ai do të bëjë gjithçka që ka në dorë, për të shtyrë Gerets të rinovojë kontratën me Olimpikun", citonte "L‘Equipe". Revista franceze theksonte se e ardhmja e Lorik Canës te Marseja do të varet edhe nga vendimi i trajnerit. Një gjë është e sigurt, pavarësisht kontratës deri në vitin 2012 me klubin, në rast se Gerets largohet, rrugën e tij mund ta ndjekë edhe kapiteni, që kërkohet nga shumë "big" evropianë. Ndërkohë, prej problemeve në gju, Cana do të mungojë në sfidën e sotme kundër Soshosë, të vlefshme për javën e 22-të të Ligës 1.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›