E Diel, 1 Nëntor 2026

Hamdi Salihi, gol ne miqësoren me Hajduk

Hamdi Salihi konfirmon formën e mirë që po kalon në këtë fillim të vitit 2009. Sulmuesi kuqezi ka shënuar në miqësoren që Ried fitoi 2-1 me Hajdukun e Splitit në Belek. Drejtuesit e klubit austriak kanë qenë mjaft të kënaqur nga loja e shkodranit në këtë test, ku lojtari ka treguar se u rikthye në formë optimale. Ky është goli i pestë i 25-vjeçarit në fazën përgatitore në Turqi. Ai shënoi dy gola në miqësoren e përpara një jave, ku skuadra e tij humbi 4-3 me Ingolstadt. Ndërkohë që më parë, sulmuesi kishte realizuar dy herë në portën e Vaid‘hofen (Riedi fitoi 2-1). Paraqitjet e mira të Salihit në përgatitjet për pjesën e mbetur të sezonit nuk i kanë shpëtuar syrit të skautve të klubeve të ndryshme evropiane. Fillimisht, interes për lojtarin kishin paraqitur turqit e Bursaspor, ndërsa pas tyre janë hedhur edhe hipotezat për transferime të mundshme te qipriotët e Apollon Limason dhe Austria e Vjenës. Edhe pse ende nuk është konfirmuar, duket se Salihi ka qenë në fokusin e Udinezes në Serinë A. Gjithsesi, fakti më i rëndësishëm është se sulmuesi duket plotësisht i gatshëm që të japë kontributin e tij për Kombëtaren, në sfidën eliminatore të 11 shkurtit me Maltën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›