Vllaznia ka "harruar" si fitohet
Vllaznia humbet në fushën e Shkumbinit dhe tashmë ndjen presionin e Tiranës, që me fitoren e djeshme në derbi ndodhet vetëm një pikë larg. Kryesuesit dorëzohen 1-0 në ndeshjen e parë të vitit 2009, ku rezultati është vendosur nga goli i serbo-boshnjakut Ahmet Muigradiç, pas 17 minutash lojë. Mesfushori 23-vjeçar ka rezultuar një përforcim i goditur për peqinasit e drejtuar nga Gugash Magani, të cilët janë vetëm dy pikë larg Dinamos së vendit të tretë. Në anën tjetër, ky rezultat mund të shihet si një sinjal alarmi për shkodranët, që regjistrojnë humbjen e dytë radhazi në kampionat (pas asaj të dhjetorit 2008 në "Loro Boriçi" me Dinamon). Problemi tashmë është se të besuarit e Agim Canajt kanë harruar të fitojnë dhe avantazhi prej shtatë pikësh (në javën e 16-të), ndaj ndjekësve më të afërt u zvogëlua dukshëm. Fillon mbarë viti kalendarik për Partizanin, që pavarësisht problemeve financiare, fiton në fushën e vështirë të Bylisit. Njeriu i ndeshjes për të kuqtë ka qenë sulmuesi Marius Ngjela, me rrjetën e realizuar pas 28 minutash lojë. Të kuqtë ngjiten në kuotën e 16 pikëve, vetëm 1 pikë larg ballshiotëve të vendit të dhjetë, klasifikim që shmang rënien direkte nga kategoria. Fiton edhe Elbasani. Verdheblutë kalojnë 2-1 Teutën në "Niko Dovana" dhe rigjejnë tri pikët, të cilat mungonin prej shtatë javësh. Në fillim Hallaçi (në debutim me Elbasanin) dhe më pas Pema kanë bërë të pavlefshëm golin e Vilfor Hysës për durrsakët. Rezultat surprizë në Kavajë, ku Besa vendase nuk ka marrë më shumë se barazimi pa gola përballë Lushnjës. Me këtë rezultat, skuadra e Ilir Dajës humbet rastin të kalojë Dinamon, skuadër me të cilën ndan vendin e tretë.