Arvizu-Topi: Të mbyllet procesi zgjedhor, duam dialog politik
TIRANË- Rivendosja e dialogut politik dhe mbyllja sa më shpejt e procesit zgjedhor ishin dy pikat kryesore të diskutimit në takimin e zhvilluar dje mes Presidentit të Republikës, Bamir Topi, dhe Ambasadorit amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, pak orë para nisjes për në Mal të Zi, ku do të marrë pjesë në Samitin e Krerëve të shteteve të rajonit, në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Juglindore, zhvilloi një takim pune me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, në rezidencën private të këtij të fundit. Kreu i Shtetit shqiptar i dorëzoi përfaqësuesit të vendit më mik dhe aleatit të ngushtë të Shqipërisë, mesazhin drejtuar homologut të tij, Presidentit Barak Obama, me rastin e përvjetorit të 235-të Pavarësisë së SHBA-ve, duke i shprehur njëkohësisht Ambasadorit amerikan urimet më të përzemërta edhe në emër të mbarë popullit shqiptar për këtë ngjarje historike. Sipas njoftimit për shtyp të Presidencës, thuhet gjithashtu se gjatë këtij takimi, Presidenti Topi dhe Ambasadori Arvizu diskutuan edhe për situatën aktuale paszgjedhore, duke theksuar nevojën e përmbylljes sa më të shpejtë të procesit zgjedhor, në kapërcimin e ngërçit të stërzgjatur politik nëpërmjet rivendosjes së dialogut politik ndër-institucional e respektimit të ligjit dhe institucioneve të pavarura kushtetuese në shërbim të interesave madhore të vendit dhe aspiratave integruese europiane të popullit shqiptar. Prej ditësh, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, po zhvillon takime me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar lidhur me situatën politike në vend. Në të gjitha takimet, kreu i shtetit por edhe ndërkombëtarët e kanë vënë theksin në domosdoshmërinë e nisjes së menjëhershme të dialogut politik, mes palëve dhe rivendosjen e bashkëpunimit produktiv institucional.