Rreh punonjësin e lojërave të fatit dhe vjedh 7 mijë USD
Një grabitje me dhunë ka ndodhur paraditen e djeshme në një sallë lojërash fati, ku një lojtar i nevrikosur, pasi kishte humbur paratë, ka rrahuar punonjësin dhe i ka marrë gjendjen financiare që kishte krijuar nga xhiroja ditore. Ngjarja ka ndodhur te rruga “Don Bosko” në Tiranë dhe shuma e vjedhur është rreth 7 mijë dollarë. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se rreth orës 10.30 është njoftuar për këtë vjedhje dhe menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit Nr. 3. Ata kanë marrë kontakt me punonjësin e sallës së lojërave të fatit, i cili ishte i gjakosur. Në ato momente ka treguar për policinë se ishte duke punuar në sallë, kur ka ardhur një person rreth të 30-ave dhe ka futur në kompjuter 10 mijë lekë të vjetra që të provonte fatin. Pasi i ka lënë, ai është drejtuar te banaku, ku punonjësi qëndronte i vetëm. Pa folur fare, e ka goditur me grushte në fytyrë, duke përfituar edhe nga trupmadhësia e tij. Më pas ka hapur banakun dhe sipas punonjësit mendohet se ishin rreth 7 milionë lekë të vjetra. Autori është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që punonjësi ka njoftuar policinë sapo ka marrë veten nga goditjet. Policia tha se salla e lojërave të fatit nuk kishte kamera sigurie, megjithatë po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
#