E Shtunë, 31 Tetor 2026

Surroi: Shqiptarët duhet të rendin para serbëve në BE

INTERVISTA/Publicisti i njohur Veton Surroi vlerëson se shqiptarët në të dy shtetet, Shqipëri dhe Kosovë, duhet të punojnë realisht dhe në mënyrë produktive që të aderojnë në Bashkimin Europian, para se këtë ta bëjnë serbët. Në një intervistë dhënë gazetares Ilva Tare, në emisionin e saj "Tonight", z.Surroi flet për debatin e ndezur mbi fundin e mbikëqyrjes së Kosovës dhe dialogun me Beogradin. Publicisti ndalet dhe në aktualitetin shqiptar në të dy vendet, duke vlerësuar se "ne kemi nevojë si komb, si shoqëri shqiptare të bëjmë një shkëputje bazike, historike me perandorinë otomane"

Me Serbinë do të nisin bisedimet politike, hiqet më në fund mbikëqyrja e Kosovës. Çfarë do të sjellin këto dhe a është gati klasa politike të nisë bisedimet?

Klasa politike nuk është gati pothuajse për asgjë. Është e gatshme vetëm për avancimin e përfitimeve të veta qoftë politike, qoftë financiare. Për shembull, shikoni mbikëqyrjen e pavarësisë. Kosova duhet të kishte zgjidhur në tre vitet e fundit çështjen e veriut. Momentin e heqjes së mbikëqyrjes së pavarësisë prania ndërkombëtare në Kosovë thotë, tani jeni të pavarur tani zgjidheni ju çështjen e veriut, ndërkohë që në 12 vitet e kaluara është marrë faktori ndërkombëtar me veriun. Tani është krijuar një gjendje, në të cilën në mënyrë shtesë pushteti i Kosovës, duhet të merret me veriun pa e pasur idenë sesi ta bëjë ketë. Kjo qeveri duhet të hyjë në bisedime me Serbinë pasi ka bërë gabime serioze, në atë që është quajtur dialog teknik me Beogradin, në të cilën me kohë ua kemi tërhequr vërejtjen, sepse nuk ka të bëjë me kurrfarë dialogu teknik, pasi bisedimet mbeten politike derisa ne e kemi të pambyllur konfliktin me Serbinë.

Çfarë statusi do të ketë veriu i Mitrovicës?

Veriu tashmë prej vitesh ka marrë një lloj vetadministrimi, i cili pret përligjen e vet juridike dhe ky është një problem i madh, për funksionimin e shtetit dhe jo funksionaliteti i tashëm i Kosovës po pret që të përligjet me nënshkrimin e Kosovës në një proces të ardhshëm negociator. Veprimi i qeverisë së Kosovës ka qenë i tillë, i krijimit të administrimit të dyfishtë në Kosovë. Kosova ka pranuar në negociatat në Bruksel që librat ku mbahet evidencat kadastrale dhe evidencat civile të mbërrin në origjinal në Beograd, ndërsa kopjet i merr Prishtina. Nga aspekti juridik, Kosova ka pranuar që përgjegjësinë juridike për evidencën kadastrale dhe juridike ta ndajë me Beogradin. Nëse mund ta bëj për libra katastrial s'ka arsye që mund ta pengoj për çështje të administrimit në Veri dhe çdo ndërmjetës ndërkombëtar që hyn, thotë që ju keni pranuar ketë për libra katastrial, tani duhet të pranoni që veriun do ta administroni bashkë. Ata do të bëjnë një pjesë, ju do të bëni një pjesë dhe do ta sajojmë disi.

Mund të jetë kjo në këmbim të njohjes së Kosovës nga Beogradi?

Jo, absolutisht. Shikoni njëra prej problemeve, është se Kosova hyn në mënyrë të vazhdueshme në negociata, për të përfunduar një negociatë dhe për të hyrë në negociatën tjetër, pa precizuar se cili është fundi i procesit negociator.

A mendoni se do ta njohë ndonjëherë Serbia pavarësinë e Kosovës?

Nuk do të ishte problem i shqiptarëve apo i Kosovës se a njeh Serbia. Serbia duhet të njohë funksionimin e institucioneve të Kosovës dhe të krijojë raport funksionimi me ato nëse dëshiron të ketë marrëdhënie të mira. Njohja e Kosovës si shtet është krejtësisht irrelevante.

Ka një qëndrim që Kosova, Shqipëria, Serbia do të bashkohen në Bruksel. Ju besoni në ketë kufi europian?

Janë dy probleme esenciale, problemi i parë është që Serbia ka krijuar një avantazh të dukshëm karshi shqiptarëve dhe në dem të shqiptarëve. Procesi i kaluar negociator ka shërbyer që Serbia të marrë statusin e kandidatit edhe duke krijuar probleme në veri të Kosovës, jo vetëm duke mos e njohur, por edhe duke krijuar probleme të sigurisë në Kosovë. Nëse e shikoni hartën e shqiptarëve do të shihni se shqiptarët më të avancuar në BE, janë ata që janë në minoritet. Sa më pak të jenë shqiptarët në një vend aq më afër BE-së ku janë vende si Serbia, atëherë ky është një problem fondamental, serioz për shoqëritë shqiptare, sepse nëse për t'iu afruar Europës duhet të jesh banor i Serbisë apo i Malit të Zi, atëherë problemi shtrohet kështu: Çfarë kemi ne si problem esencial që nuk mund të ecim më shpejt drejt BE-së?

A mendoni se harta aktuale e Ballkanit do të pësojë ndryshime në 10 vitet e ardhshme?

Ne jetojmë në hapësirën e shteteve të papërfunduara. Në ketë hapësirë janë Bosnja-Hercegovina, është shtet i papërfunduar, nuk ka identitet dhe ka gjasa të zhbëhet. Shtet i papërfunduar është Kosova, nuk e administron një pjesë të territorit të vet dhe do ta ketë të vështirë ta administrojë nëse vazhdon me këtë qeverisje. Në këtë hapësirë të papërfunduar është Serbia sepse nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, nuk e njeh fundin e territorit të saj. Në ketë hapësirë është Maqedonia, sepse nuk njihet nga Greqia me identitetin e vet dhe ka telashe të mëdha në krijimin e identitetit kushtetues edhe brenda vendit. Është e vështirë të binden shqiptarët se janë në shtetin e Aleksandërit të Madh dhe të themi stërpikat e këtij procesi i ndjen edhe Shqipëria për shkak të lidhjes etnike me këtë rajon. Problem esencial në 10 vitet e ardhshme do të jetë procesi i përfundimit të shtetndërtimit të këtyre shteteve, vënies së një pike përfundimtare historike. Nëse do të ketë zhbërje të Bosnje- Hercegovinës atëherë do të vendoset një parim i ndarjes etnike i cili mund të ndikojë për fat të keq edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri. Pra, aksidentaliteti historik i ndarjeve të reja nuk është përjashtuar përderisa nuk ekziston një ndërhyrje serioze për përfundimin e këtyre proceseve, fillimisht nga SHBA dhe BE, por edhe pastaj në një kontekst tjetër. Në çfarë mënyre do t'i mbijetojë BE formës së tanishme të ekzistencës dhe të krizës së saj. Sa do të jetë e gatshme BE që me një fuqi të re apo federalizim të jetë ajo forcë, e cila ka ndikimin e vet magnetik në ristrukturim e Ballkanit. Është shumë e qartë që Bosnja-Hercegovina në formën e tillë nuk mund të ekzistojë ose do të centralizohet në mënyrë që të funksionojë si shtet ose pastaj do të jenë nën ndikim forcash që duan të përligjin gjendjen e tanishme. Gjendja e tanishme është një republikë serbe, e cila fare nuk përfill autoritetin e Bosnje-Hercegovinës.

Ish-vendet komuniste kanë liderë jetëgjatë dhe autoritarë. A është ky një tipar që lidhet me të shkuarën komuniste?

Ka të bëjë domosdoshmërisht. Në analizën që ka bërë Haveli, të cilin e besojnë shumë persona, ai e quan post-komunizëm këtë fazë dhe e quan një fazë, e cila është po aq e rrezikshme. Në fakt, ne jetojmë në shtete hibride. Shtete të cilat nga forma plotësojnë normën e demokracisë zgjedhore, por kanë forma të forta të elementeve autoritare dhe të marrjes së plotë të institucioneve të pavarura dhe ky është një rrezik shumë i madh për shoqëritë tona, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Kemi të bëjmë me shtete jo demokratike, të cilat anojnë nga jodemokracia dhe të cilat ngulthasin një pjesë të energjive të këtij vendi qoftë politike qoftë ekonomike. Z. Surroi, megjithatë këta politikanë thonë që kemi fituar zgjedhjet, jemi votuar nga qytetarët… Shikoni, t'i fitosh zgjedhjet, të cilat nuk janë të drejta do të thotë të mos i fitosh zgjedhjet, do të thotë t'i vjedhësh zgjedhjet. Në Shqipëri dhe Kosovë nuk po vendoset standardi i zgjedhjeve të drejta dhe të lira.

Çfarë mendimi keni për Berishën?

Është krejtësisht irrelevante ajo çfarë mendoj unë për zotin Berisha. Ne po flasim për disa fenomene, të cilat janë shumë më të gjëra. Shqipëria ka problem të thellë të legjitimitetit jodemokratik dhe pjesë e këtij problemi është dhe zoti Berisha.

Po për zotin Rama?

Po flasim për një periudhë në Shqipëri, në të cilën është sanksionuar vjedhja e votës, në të cilën zoti Rama me veprim ose mosveprim e ka legjitimuar ketë si një standard. Problemi i Shqipërisë nuk është se çfarë mendoj unë për Ramën apo për Berishën. Problemi i Shqipërisë është a ka Shqipëria energji të mjaftueshme në partitë në pushtet, në partitë në opozitë, në media që të mbajë njëherë zgjedhje të drejta dhe të lira si dhe të vendosë institucione të pavarura? Ajo çfarë ka ndodhur në Shqipëri në këto vite është që kushdo që të vijë në pushtet pastaj do duhej të merrej me rregullimin e një gjendje të krijuar deri tani. Do ta ketë të vështirë Shqipëria të merret me vite të tëra me ndotjen që është krijuar në sistemin gjyqësor.

A mendoni se elitat kanë një përgjegjësi, si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri?

Mos harroni që elitat janë dhe elitat politike që janë në pushtet. Po marrim Sllovakinë dhe Kroacinë. Në Sllovaki ka ekzistuar një ecje autoritare, e cila në një moment është identifikuar si ndotje fondamentale e rrjedhës së ardhshme të Sllovakisë. Atëherë janë grumbulluar partitë opozitare, mediat, shoqëria civile dhe kanë thënë që na nevojiten zgjedhje të lira dhe të drejta dhe më pas kush i fiton ato është çështje irrelevante. Në zgjedhjet e lira dhe të drejta me një fushatë e cila është drejtuar nga çdo qytetar, është një krijuar një gjendje në Sllovaki është krijuar çlirim politik, një çlirim ekonomik, sepse është krijuar një bazë e mirë për investime të huaja. Sllovakia sot prodhon vetura etj. E njëjta gjë në Kroaci, në një moment figura historike e Tuxhmanit babai i shtetit të ri kroat u hoq nga pushteti, u hoq tuxhmanizmi si ide e qeverisjes, u dënua me votën e qytetarëve në momentin kur u organizua një forcë e bashkuar e partive, mediave dhe shoqërive të lira. Problemi i Shqipërisë është modeli i qeverisjes, mungesa e respektit ndaj modelit të demokracisë parlamentare dhe demokracisë në treg.

Çfarë mendoni se e prodhon mungesën e dialogut politik në Shqipëri?

Këto janë çështje subjektive kur del një lider apo një tjetër, i cili mund të identifikojë veten si pjesë e dialogut. Në Shqipëri çështja, e cila duhej të ishte fondamentale në 100-vjetorin e krijimit të shtetit është nëse do e marrë apo jo statusin e kandidatit. Lindja e shtetit të Shqipërisë ka qenë ide bazike europiane. Nëse në 100-vjetor nuk e merr statusin dhe nuk e merr sepse nga aspekti kalendarik në 28 nëntor ajo nuk do të ketë në dorë letër për status, Shqipëria në 100 vjetor nuk është vend me status atëherë kjo meriton një debat serioz në shoqëri. Pse nuk është dhe si mund ta fitojë.

Në një nga referimet tuaja u shprehet se motoja e shqiptarëve në '90- tën ishte që e duam Shqipërinë si gjithë Europa, sot është a e bëjmë dot Shqipërinë si gjithë Europa. A mos jeni pak i ashpër me ne?

Me qëllim jam i ashpër sepse dua që ky vend të jetë europian. Ne kemi nevojë si komb, si shoqëri shqiptare të bëjmë një shkëputje bazike, historike me perandorinë otomane. Kur je 500 vjet në një perandori të nevojiten 100 të tjera për t'u shkëputur, është një divorc shumë i gjatë sepse është punë mentaliteti dhe e vulosjes së identitetit tonë europian dhe kjo vulë merret në Bruksel. Kjo vulë nuk na nevojitet për të qenë aq shumë pjesë e BE-së sesa na nevojitet për të vulosur identitetin tonë europian.

Angazhimi juaj aktual dhe në të ardhmen ku do të jetë?

Aktualisht po shkruaj dhe po kujdesem për djalin tim të vogël, Detin.

Vetëm publicistika, po politika, biznesi?

Kur je në një situatë siç kam qenë unë prej vitit '88-'89 unë nuk mund të shkëputem nga jeta politike, nga e folura publike. Kështu që nuk kam ndërmend të shkëputem. Po përpiqem që të përqendrohem në shkrime të gjata, në libër dhe pastaj do të shohim.

Çfarë libri po shkruani tani?

Letërsi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›