Surroi:Politika e Kosovës,e dobët

Publicisti kosovar, Veton Surroi, në një intervistë të dhënë për Zërin e Amerikës ka deklaruar se politika e jashtme e Kosovës në vitin e parë të pavarësisë së saj ishte e varfër. Ai theksoi nevojën e një platforme të politikës së jashtme që do të duhej të miratohej nga Parlamenti i Kosovës. Surroi ka thënë se Kosova ka patur fat shumë të mirë se politika e jashtme e vendit, është udhëhequr jo në Prishtinë, por në Ëashingtion e në Londër, në kryeqytetet e shteteve që kanë mbeshtetur pavarësinë, por kjo, sipas tij,"nuk do të thotë se mund të mbështetemi gjithmonë që dikush tjetër të na i kryejë punët tona". Surroi ka vlerësuar se ekziston një varfëri e skajshme në krijimin e politikës së jashtme, në zbatimin e saj, në institucionalizimin e saj dhe të gjitha këto - sipas tij - reflektohen në situatën në vend. Përsa i përket intensifikimit të takimeve të autoriteteve kosovare me përfaqësues të shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën, Surroi këtë mënyrë të lobimit e ka cilësuar si improvizuese. "Më duket se lobimi është shumë i varfër, improvizues,e në masë të madhe është vlerësues. Nuk kam besuar se do të vijë një kohë e tillë kur pas një viti do t'i bjerë ndërmend presidentit që të trokasë nëpër dyert e ambasadave, kjo është një punë e ambasadorëve të Kosovës, e jo e presidentit të Kosovës. Në këtë një vit oshilimet kanë qenë të mëdha, që nga refuzimi për lobim e deri te kjo formë e lobimit aspak e hijshme", ka thënë ndër të tjera Surroi.