Suspendimi i policit Shala, mesazh i keq
Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut është shprehur i befasuar me masën e shqiptuar nga drejtori i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, për policin Bujar Shala, në lidhje me rastin e deputetes së Kuvendit të Shqipërisë, Albana Vokshi.
Në kohën kur kishte ndodhur incidenti, KMDLNJ kishte reaguar duke mbrojtur policët dhe duke denoncuar sjelljen arrogante të deputetes.
Tash, KMDLNJ kërkon nga përgjegjësit e policisë dhe të drejtësisë që të mos bien nën ndikimin e politikës, duke destimuluar policinë të respektojë ligjin, pa marrë parasysh se kush e shkel atë.
KMDLNJ kujton se në raste të tilla në vendet demokratike policët shpërblehen apo lavdërohen, sepse kjo stimulon ata që të jenë në zbatim të ligjit pa marrë parasysh se kë kanë përballë.
“Kjo masë që është shqiptuar ndaj z. Shala është një mesazh shumë i keq për policinë dhe qytetarët të cilët e mbrojnë dhe respektojnë ligjin”, vlerëson KMDLNJ.