E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ngom” në Prizren

Në qytetin e Prizrenit vjen edhe një ngjarje kulturore. Tani jo kinematografi por muzikë. Nga data 24 deri më 26 qershor do të mbahet festivali i muzikës “Ngom”, me 50 orë muzikë, 26 bende muzikore dhe 10 DJ evropianë. Nga Albana S. Muja më 16 maj 2011 në ora 12:59

Qyteti i Prizrenit tashmë është duke u bërë ikonë e qendrës kulturore. Përpos Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “Dokufest”, tani po i zgjeron rrënjët me ngjarje tjera kulturore. “Ngom” do të jetë festivali i radhës, por këtë herë i muzikës, i cili do të nxehë edhe më shumë verën në Prizren, krejt kjo para nisjes së “Dokufestit”, i themeluar dhe i menduar me qëllim të veçantë.

Organizatori i festivalit, njëherit, njëri nga koordinatorët e “Dokunight”, Robert Delhysa thotë që Prizreni si qytet i vjetër, multi-kulturor, viteve të fundit është duke e marrë epitetin e një qyteti turistik dhe kulturor me rëndësi të veçantë për Kosovën dhe regjionin.

“Pozita gjeografike, qyteti i vjetër me objekte të veçanta të trashëgimisë kulturore dhe ngrohtësia e banorëve të tij, e bën vend ideal për krijimin e epiqendrës kulturore dhe turistike të Kosovës”, theksoi Robert Delhysa.

Sipas Delhysës, duke e ndarë këtë mendim dhe duke e parë nevojën për krijimin e ngjarjeve kulturore, të cilat do ta pasurojnë qytetin, është iniciuar organizata N’GO, e cila është e përbërë nga individë të cilët janë aktivë në jetën shoqërore dhe kulturore të Prizrenit dhe Kosovës. E projekti i parë, i cili do të realizohet nga N’GO, është festivali i muzikës dhe i aktivizimit “Ngom”, i cili do të nisë festën me 24 deri më 26 qershor të këtij viti. Në këto dy ditë, sa do të zgjasë festivali, do të ketë gjithsej 50 orë program muzikor, nga të gjitha zhanret e muzikës, e këta tinguj do të dëgjohen në tri skena të ndryshme: në Shatërvan, buzë lumit dhe në Marash, jashtë qytetit.

Delhysa konfirmon pjesëmarrjen e 25 bendeve dhe 10 Dj-ve, ndërsa disa prej emrave të cilët do të performojnë në tri qendrat e Prizrenit do të jenë: Sarkofuck (Sllovenia), Cirkus (Kroacia), The Raws (Turqia), Conquerin Lion (Maqedonia). Ndërsa nga Kosova: The Glasses, The Freelancers etj. Kurse nga DJ rajonal janë të konfirmuar: Senada Sevlic aka Dark Angel (Serbia), Vasko Netkovski (Maqedonia), Wish-ko (Maqedonia), Protonyz (Shqipëria) e nga Kosova janë: Totoni, Likatek, Vigan Grapci aka Wiggi etj.

Festivali do të bëhet tradicional, e me ketë aktivitet N’GO synon që Prizrenin ta vendos nëpër hartat turistike të rajonit, t’i japë Prizrenit program argëtues regjional dhe botëror, t’u mundësojë të rinjve të jenë aktiv në jetën shoqërore dhe kulturore si dhe vetëdijesimin për ambientin dhe vlerat njerëzore.

Kjo ide është ndërtuar gjithashtu për të vendosur harmoninë ndërkufitare dhe solidaritetin në mes të të rinjve nga Ballkani Perëndimor. Duke qenë thelbësorë për këtë regjion, pasi që të rinjtë tregojnë interes të madh për bashkëpunim, pa marrë parasysh kufijtë shtetëror ose diferencat etnike që i ndajnë. Me këtë në mendje, projekti synon të ndërtojë bashkëpunim të qëndrueshëm regjional ndërmjet N’GO dhe partnerëve në Kosovë si dhe organizatave nga Maqedonia, Shqipëria, Serbia etj.

E sipas Delhysës, qëllimi kryesor i këtij projekti është që të inkurajojë të rinjtë që të kontribuojnë në krijimin e kohezionit ndërkomunitar në Kosovë dhe rajon nëpërmjet përfshirjes së tyre në aktivitete të ndryshme.

“Pjesëmarrja e tyre në gjetjen e konsensusit në mesin e të rinjve kosovar për çështjet e lidhura me ardhmërinë e tyre, duke përfshirë aktivitete kulturore dhe dialog, aktivitete të përbashkëta (ndër-etnike) në mbështetje të përgjegjësisë shoqërore dhe kontributit të tyre në mbrojtjen dhe përkujdesjen e ambientit, ka rëndësi të madhe për të ardhmen e Prizrenit dhe regjionit”, përfundoi Delhysa.

Ndërsa projekti gjithashtu ka gjetur përkrahje edhe nga Kuvendi Komunal i Prizrenit, Ministria e Kulturës, si dhe fondacione dhe sponsorë komercialë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›