Swoboda: Bojkoti, dëmton imazhin e Shqipërisë

"çdo konflikt i brendshëm dhe sidomos bojkoti parlamentar është një dëmtim i imazhit të Shqipërisë para BE-së". Kështu është shprehur europarlamentari Hannes Swoboda në një intervistë për "Deutsche Welle" për situatën politike në Shqipëri. "Në radhë të parë dua të them që ne jemi kundër bojkotit parlamentar. Deputetët janë zgjedhur që të marrin pjesë në parlament. Këtë e kemi thënë edhe kur partia e Berishës e bojkotoi parlamentin. Këtë e themi edhe tani. Së dyti, tani duhet të shikojmë se si mund të bashkëpunohet për të kapërcyer këtë bllokadë. Ky është tani një shans për kapërcimin e krizës. Berisha dhe qeveria e tij duhet të bëjnë propozime për partinë socialiste në opozitë dhe opozita duhet të mundohet që të kthehet në parlament me një strategji për të bërë një opozitë të fortë. Dhe roli i opozitës është në parlament" theksoi Swoboda.
Ndërkohë në lidhje më kërkesën e opozitës për hapjen e kutive Swoboda theksoi se gjithçka është e mundur nëse njeriu do, por në qoftë se gjykata ka vendosur se nuk ka diçka për t'u korigjuar, atëhere vendimi i saj duhet pranuar, megjithëse njeriu nuk është i kënaqur.
"Sido që të jetë, grupet e mëdha duhet të shohin se si mund ta kapërcejnë këtë krizë. Kjo nuk mund të kalojë në qoftë se qeveria qëndron vetëm në pozicionet e veta dhe opozita në të sajat, por duhet të gjehet një kompromis i përbashkët" theksoi Swoboda.