E Diel, 1 Nëntor 2026

Sydow: Dy partitë politike në Shqipëri kanë ende ndikime nga sistemi i vjetër politik

Pas miratimit të një rezolute për situatën në Ballkanin Perëndimor nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, hartuesi i raportit dhe kryetar për Çështjet Politike, Björn von Sydow, analizon gjendjen në Ballkan.

DW: Si do ta përshkruani në përgjithësi situatën politike në Ballkanin Perëndimor? Në bazë të raportimit tuaj mbrëmë, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi një rezolutë.

Bjrn von Sydow: Në përgjithësi Ballkani perëndimor po ecën në drejtimin e duhur. Aspektet problematike kanë të bëjnë me Kosovën, Shqipërinë dhe Bosnjë- Hercegovinën. Në Kosovë Këshilli i Europës është i shqetësuar sidomos në pikat e kontrollit në kufi me Serbinë dhe vazhdimin e dhunës, gjë që bllokon progresin e bisedimeve Prishtinë Beograd, të ndërmjetësuara nga BE.

Në Shqipëri skena politike dominohet nga polarizimi partiak, i cili ka zhgënjyer shqiptarët në dekadat e fundit. Zhvillim pozitiv është anëtarësimi i afërt i Kroacisë në BE, stabiliteti politik në përgjithësi i rajonit.

DW: Le të shkojmë në Shqipëri. Cilat janë atje karakteristikat kryesore të situatës aktuale politike?

Bjrn von Sydow: Situata politike shfaqet e ngrirë në pamjen e saj për pothuaj rreth 20 vite. Të dy partitë kryesore politike nuk kanë treguar vullnet politik për të arritur konsensus për çështje thelbësore. Që të dyja partitë kryesore, lidhur me demokracinë e brendshme në parti, kanë ende ndikime nga sistemi i vjetër politik në Shqipëri.

DW: Cilat janë pikëpamjet kryesore që u shprehën mbrëmë për Shqipërinë gjatë debatit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, që përfundoi me miratimin e rezolutës për situatën politike në Ballkanin Perëndimor?

Bjrn von Sydow: Ajo që kam theksuar në raportin tim janë dy aspekte pozitive: së pari që rezultatet e zgjedhjeve lokale të 8 majit po pranohen nga popullsia, përfshirë këtu edhe zgjedhjen e Kryebashkiakut të Tiranës; aspekti tjetër është angazhimi i dy partive kryesore dominante për të kryer reformën elektorale. Por në debatin e mbrëmshëm në Asamblenë Parlamentare pati edhe nga ata që u shprehën se nuk janë optimistë para se të shohin realizimin e këtij angazhimi. Nga angazhimet të dyja partitë duhet të kalojnë në veprime konkrete.

DW: Pse Shqipëria mbetet një vend që ngre shqetësime në institucionet europiane, në rastin konkret në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës? Cilat janë shkaqet?

Bjrn von Sydow: Shkaku kryesor është mungesa e konsensusit për çështje bazë, themelore mes dy partive kryesore, gjë që është e domosdoshme në një sistem politik dypartiak. Kjo është shqetësuese. Për Këshillin e Europës, Komisionin Europian dhe institucionet e tjera të BE-së është shumë shqetësues, fenomeni i bojkotit të Parlamentit nga njëra prej partive kryesore.

DW: A ka sinjale në sjelljen politike në Shqipëri, që shkojnë kundër skepticizmit që u shfaq nga disa diskutantë mbrëmë në asamblenë Parlamentare se politikanët shqiptarë janë gati të përqafojnë kulturën politike europiane të dialogut dhe kompromisit?

Bjrn von Sydow: Ka sinjale por ende nuk i kemi parë ato të realizohen.

Intervistoi: Ani Ruci / Tiranë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›