E Shtunë, 31 Tetor 2026

Syla: Fjalët e Gecit janë të pavërteta

Nga Express më 11 maj 2011 në ora 22:22

Ish-shefi i Shtabit të UÇK-së, i cili tash është deputet i Kuvendit të Kosovës, Azem Syla, akuzat e ish-deputetit të Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Gani Geci, i ka cilësuar si shpifje nga një ordiner i llojit të tij që dëshiron të denigrojë persona. Ai kërkon nga të gjithë qytetaret e Kosovës që për të gjitha rastet që kanë dyshime t’iu drejtohen organeve tona të drejtësisë dhe EULEX-it.

Syla ka thënë për Kosovapress se opinioni nga viti 1999 e deri më tani është në ankth jo vetëm prej shpifjeve dhe të pavërtetave të zotit Geci, por edhe disa raste të tjera, të cilat kanë nevojë të dalin në dritë.

“Fjalët dhe mendimet e zotit Geci, kur them janë të pavërteta bazohem në fakte dhe të dhënat që do flas. Së pari, me zotin Geci unë nuk kam pas asnjë herë, asnjë afërsi gjeografike, asnjë kontakt, qoftë pune, do të thotë asnjë farkim kurrë nuk e kam pasur me të dhe gjithherë njeriu për të bërë diçka duhet të ketë motiv. Unë tërë jetën time ia kam kushtuar çështjes së popullit tim, Kosovës dhe për ditët që sot ne gëzojmë dhe këto që shpreh zoti Geci, asgjë më tepër se sa një ordiner i llojit të tij që donë të denigrojë qoftë persona, qoftë vlera, qoftë personazhe të luftës me shpifje dhe të pavërteta”, ka thënë Syla.

Ai thekson se rrugëve ka dëgjuar edhe për shifra që kinse kanë dashur të paguajnë njerëz, por të gjitha janë të pavërteta dhe shpifje.

“Unë le që nuk kam jam i tillë, nuk kam qenë i tillë dhe nuk do të jem kurrë i punëve të liga, por njeriu për të paguar mercenar duhet të jetë me karakter tjetër dhe ndryshe duhet të kesh para, që unë asnjë prej këtyre punëve të liga nuk i kam pas dhe nuk do t’i kem kurrë”, ka thënë Syla.

Duke iu përgjigjur Gecit se deputeti i tanishëm Syla nuk mund të “pastrohet” me familjen Geci përmes ligjit të shtetit, por mund t’i mbledhë edhe 48 pleq në Kullën e Rifat Jasharit në Prekaz dhe aty të betohet se nuk ka gisht në atentatin që është bërë ndaj tij, Syla ka thënë se Geci po kthehet në mesjetë, dhe se çudia më e madhe është se kaq lehtë qenka, duke mbledh kaq njerëz dhe duke hequr fajin.

“Tani i them, ja ku janë organet tona të policisë dhe të krimit, edhe EULEX-i, dhe unë jam që çdo gjë të dalë para ligjit dhe para drejtësisë se mjaft ky popull rron në ankth dhe këto pak fjalë që i them, më shumë i them për opinionin se mjaft më, edhe e garantoj opinionin që ne, ose unë pa hezitim për çdo rast, edhe këtë rast, janë organet, le ta hetojnë”, ka thënë Syla.

Syla ndalet edhe te kërkesa e disa deputetëve të AAK-së për të hapur hetim ndaj SHIK-ut, duke thënë se është dakord për këtë, por para se të hetohet SHIK-u duhet të hetohet UDB-a.

“Para se të hetohet SHIK-u ose ndonjë organizëm që ka vepruar gjatë lufte ose pas luftës pse mos të hetohet UDB-a, pse mos të hetohet një segment i shtetit policor serb, UDB-a e cila bashkë me policinë serbe, bashkë me shërbimin sekret të ushtrisë e civil, në ‘68, ’81 ka bërë krime”, ka thënë Syla.

Ndryshe, ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Gani Geci, në një intervistë të dhënë për gazetën “Koha ditore” ka deklaruar se ka dëshmi që anëtari i Kryesisë së PDK-së, Azem Syla, ka paguar 200 mijë marka gjermane për vrasjen e tij. Siç thotë ai, kjo ka ndodhur diku në vitin 2001. Me këtë rast, sipas tij, ka kohë që është e njoftuar Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›