Bazile, kandidat për stolin e Sitit
Alfio Bazile, ish trajner i Argjentinës, ka thënë se Mançester Siti është një ndër klubet që po tenton ta bindë të vijë në krye të skuadrës angleze. "Kam pasur oferta nga Mançester Siti, si nga Anglia edhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Jam duke i parë me kujdes këto oferta," - ka thënë ai. Blerja e Sitit nga konsorciumi Abu Dabi United e ka bërë këtë klub ndër më të pasurit në botë, që u dëshmua nga blerja prej 40 milionë eurosh e sulmuesit brazilian Robinjo, një rekord për kampionatin anglez. Por humbja 2 1 e së dielës kundër skuadrës që mbyll tabelën e renditjes, Uest Bromuiç Albion, e ka fundosur Mançester Sitin në zonën e ftohtë të tabelës. Siti ka marrë vetëm pesë pikë në nëntë ndeshjet e fundit. Trajneri i Sitit, Mark Hjuxhs, që është nën presion për të arritur rezultate, ka këmbëngulur se do të jetë ende në krye të kësaj skuadre pas merkatos së janarit dhe se do të shfrytëzojë fuqinë financiare të klubit të tij për të blerë lojtarë të rinj. Hjuxhs ka thënë se ka marrë garanci nga drejtuesi Haldun Al Mubarak dhe pronari Sheikh Mansour, se ai do të jetë ende në krye të skuadrës pas merkatos. Bazile, i cili dha dorëheqjen në muajin tetor dhe u zëvendësua nga legjenda argjentinase Diego Maradona, ka këmbëngulur se kishte ende shumë për të dhënë. "Kam shumë dëshirë të vazhdoj punën time si trajner. Nuk e di pse disa njerëz thonë se nuk e kam më kohën. Mendoj se do të kthehem sërish në qershor ose korrik," - ka thënë 64 vjeçari Bazile.