Dënohet rasti në Oprashk të Istogut
Qeveria e Republikës së Kosovës ka dënuar sulmin ndaj një qytetari të kthyer në Oprashk të Istogut, duke e cilësuar si një akt të patolerueshëm.
“Sulmi që ndodhi në Oprashk, është një akt i patolerueshëm dhe i dënueshëm nga Qeveria e Kosovës dhe nga të gjithë qytetarët e saj. Imazhi i Kosovës duhet të jetë imazh i tolerancës dhe mirëkuptimit në mes të etnive të ndryshme, si dhe respektimi i ndërsjellë”, thuhet në reagim.
Duke përkujtuar se Republika e Kosovës është shtet demokratik, që përbëhet nga komunitete të ndryshme etnike, Qeveria e Kosovës premton se do të vazhdojë me përkushtim për të krijuar një ambient tolerant dhe mirëkuptues, duke respektuar të drejtat e të gjitha komuniteteve për të jetuar të lirë në pronat e veta dhe për të rritur bashkëpunimin ndëretnik.
Qeveria e Kosovës, po ashtu, iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë me organet kompetente në identifikimin e aktorëve të këtij sulmi, në mënyrë që ata të nxirren para drejtësisë.