Tahiri: Regjistrimi nuk ka karakter politik

Regjistrimi i popullatës nuk ka karakter politik, por është një evidentim i të dhënave për popullsinë rezidente që jeton në Kosovë dhe praktikisht fjala është për sigurimin e statistikave zyrtare, mbi të cilat shteti bënë planifikimet e politikave zhvillimore dhe janë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik, ka thënë ministrja në largim e Administratës Publike, Edita Tahiri.
Ministrja Tahiri, këto komente i bëri të enjten gjatë takimit të Zyrës së Regjistrimit të Popullsisë me Komisionin Qendror të Regjistrimit dhe me kryetarët e Komisioneve Komunale - kryetarët e komunave të Kosovës.
Ajo theksoi se pas 30 viteve procesi i regjistrimit po shkon në rrugë të mirë dhe deri më tash të gjitha fazat përgatitore për mbajtjen e regjistrimit janë të rrumbullakësuara dhe kjo përgatitje sipas saj ishte një proces i gjatë dhe kompleksë.
“Regjistrimi nuk ka karakter politik. Pra regjistrimi është një evidentim i të dhënave për popullsinë rezidente që jeton në Kosovë, dhe praktikisht fjala është për sigurimin e statistikave zyrtare, mbi të cilat shteti i bënë planifikimet e politikave zhvillimore dhe janë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik, demografik, për akademi, e nevoja të tjera. Besojë që janë shumë të rëndësishëm edhe për stimulimin e investitorëve të huaj, të cilët nëse vendosin të investojnë në Kosovë, kanë nevojë të dinë statistikat për këtë vend”, ka thënë Tahiti.
Megjithatë, sipas saj procesi i regjistrimit, duket që ka probleme dhe sfida, sidomos me serbët që hezitojnë të integrohen në institucionet e Kosovës dhe realitetin e ri në Kosovë.
“Fjala është për një pjesë të serbëve që më tepër gravitojnë në pjesën veriore të Kosovës, për ndryshe pjesa tjetër e serbëve është integruar mirë dhe po e gjejnë vetën mirë në këtë shtet të ri, i cili po iu ofron garanci shumë të mira për të gjithë komunitetet e Kosovës, përfshirë edhe serbët”, ka thënë Tahiti.
Ajo po ashtu, njoftoi se ligji garanton edhe një regjistër suplementar ku do të bëhet regjistrimi i qytetarëve, të cilët jetojnë jashtë Kosovës dhe për këtë do të deklarohen familjaret e tyre.
Kurse, kryetari i Komisionit Qendror për Regjistrim, Rifat Blaku ka thënë se me regjistrimin e popullsisë të qytetarët e Kosovë do të fitojnë dhe askush nuk do të humb.
“Komisioni Qendror ka miratuar listën për 32 komuna të Kosovës, kanë mbet edhe 7 komuna, të cilat presim që çdo moment t’i sjellin listën e anëtarëve komunale, sikurse edhe këto tjerat”, ka thënë ai.
Megjithatë, ai shtoi se këto shtatë komuna kanë kohë edhe dy muaj t’i dërgojnë këto lista.
Trajnimet e komisioneve komunale pritet të fillojë më 1 deri më 3 shkurt, kurse nga 1 deri më 15 prill do të realizohet regjistrimi i popullatës në Kosovë. /kosovapress/