Energjia e rinovueshme, italianët interes për të investuar në Shqipëri
Shfrytëzimi i burimeve të rinovueshme, si uji dhe era, mund të ndihmojnë në zgjidhjen e shpejtë të problemit të energjisë elektrike në Shqipëri. Një grup sipërmarrësish italianë ndodhen prej dy ditësh në Shqipëri, ku po shqyrtojnë mundësitë e bashkëpunimit me sipërmarrës shqiptarë për zhvillimin e energjisë me burime të rinovueshme. Në seminarin e organizuar në këtë kuadër nga Instituti Italian për Tregtinë e Jashtme (ICE) dhe Zyra Tregtare e Ambasadës Italiane në vendin tonë, drejtori i ICE-s, Francesco Vituli, nënvizoi se tashmë janë një sërë projektesh të hartuara nga sipërmarrës italianë, të cilët po studiojnë zonat në veri dhe jug të vendit, që përbëjnë potenciale të mëdha për zhvillimin e energjisë me burime të rinovueshme. Ai ftoi sipërmarrësit italianë të investojnë në Shqipëri, ndërsa bëri të ditur se vendi është transformuar dhe ofron lehtësi të mëdha për investime. Në përbërje të sipërmarrësve italianë nga rajoni i Lombardisë, i kryesuar nga PROMOS Milano, janë shoqëri të njohura si: PROMOS Milano, Midac Srl ERG Renew Spa, Pjele Costruzioni Srl, Sorgenia Spa, GEA.Siste-Idro.GEA Srl Idrodepurazione Srl dhe Bluminipower Srl. Sipas ekspertëve të energjisë në vendin tonë, Shqipëria, me pozicionin e saj gjeografik shumë të mirë dhe me burime të bollshme ujore, me shumë ditë me diell, erë, biomasë etj., krijon mundësi për shfrytëzimin e energjisë së prodhuar nga këto burime, që do të kenë impaktin e tyre në zvogëlimin e emetimeve të ndotësve në atmosferë, duke marrë në konsideratë faktin se vendi ynë ka firmosur dhe marrëveshjen e Kyoto-s, që ka për qëllim uljen e gazrave që shkaktojnë ngrohjen e atmosferës. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, deri tani janë lidhur rreth 60 kontrata koncesionare për ndërtimin e HEC-eve, ndërsa vetëm gjatë këtij viti është bërë i mundur nënshkrimi i dy kontratave për ndërtimin e HEC-ve me vlerë 2 miliardë euro. Sipas Entit Rregullator të Energjisë (ERE), deri tani janë licencuar disa subjekte për prodhimin e energjisë nga era, me kapacitet rreth 270 MW.