E Diel, 1 Nëntor 2026

TE KUJTUARIT E TE PA NDODHURES

1.

Qesh duke menduar se cilën ofertë të librit ta pranoja në rrugën Elisabets. Do të udhëtoja pasdite për në Madrid dhe treni ishte ideal që të merrja me vete atë ndjesi shpirtërore të Barcelonës. Po më ndiqte, edhe në librari, shekulli XX; ishte e qartë me dy librat që po më kthenin në raftet e veta. Njëri, "Historia e luftës qytetare spanjolle" e autorit britanik Hugh Thomas, një rrëfim detaj në dy vëllime se si u zhvillua një mini-luftë botërore në territorin spanjoll. Tjetri, "Shekulli i Sartre-it", shkruar nga filozofi francez, Bernard-Henry Levy, rrëfimi i fascinuar i një filozofi antikomunist me nam ylli të rokut për një mit të së majtës franceze dhe kult-figurës të skenës intelektuale të Francës.

Në të ulur në karrigen e caktuar, në vagonin numër 7, në të dalë nga Barcelona, BHL, siç njihet Bernard-Henri Levy, do të rrëfejë për një pjesë të konsiderueshme të besimit të Sartre-it nëpërmjet të relacionit që kishte me femrat. Njëra prej tyre, Bianca, që më vonë do të citohej të ketë thënë për të se ishte dashnor i dobët, do të mbesë shtatzënë dhe do të kërkojë që në një park të qytetit të takohet me të, Sartre-in, dhe gruan e jetës së tij, shkrimtares Simone de Beuavoir.

Bianca do ta shpjegojë gjendjen e saj të re, do të shohë se te çifti i çuditshëm ka shkaktuar vetëm të qeshura, do të konstatojë se barra biologjike nuk do të ndryshojë rrethanat e marrëdhënies së saj me filozofin dhe do ta mbyllë muhabetin me një fjali ultimative: "Ua ndaloj, a dëgjoni, ua ndaloj përfundimisht që të më citoni apo të përdorni çfarëdo pjese të personit tim për ndonjë personazh të ndonjërit prej romaneve tuaja të neveritshme!".

2.

Bianca, që nuk deshi të hynte në libër, do të duhej të ishte me mua paradite, para se të hyja në librari, disa hapa prapa në rrugën Elisabets, dhe të ballafaqohej me personazhe të një libri që nuk e desha, e as që i deshi ata, personazhet.

Në vend të "Historisë së luftës qytetare spanjolle", do të takohesha me Emilion dhe Carmenin.

Emilio do të mund të ishte kandidat i mirë për libër, si refugjat republikan spanjoll në Meksikë, në të humbur kauza republikane prej frankizmit. Do të jetonte atje, shkonte në shkollë, mbaronte Universitetin, vazhdonte magjistraturën në Amerikë, një ditë demokracie të kthehej në Spanjë, të hynte në shërbimin diplomatik të vendit të lindjes dhe pas një karriere të shpejtë ngritjeje të shkonte në Meksikë, tashmë si i dërguari i Mbretit, ambasadori i një monarkie parlamentare.

Edhe Carmen po ashtu. E bija e njërit prej liderëve historikë komunistë spanjoll, do të bëhej refugjate në Moskë, pastaj gjysmërefugjate në Paris, ndërsa komunistët predikonin se ditët e Francos ishin të numëruara (e kështu thonin që nga vitet pesëdhjetë, plot çerekshekulli para se të vdiste diktatori) prandaj duhet të vendoseshin sa më afër Spanjës, që të hynin në vendin e çliruar nga diktatura e cila po "numëronte ditët e saj të fundit". Do të kthehej në Spanjë me theks ruso-francez, sens boheme të epokës së Sartre-it dhe ndjesi të holluar për sinjalet e fshehura të politikanëve revolucionarë, latino-amerikanë apo ballkanas.

"Historia e luftës qytetare spanjolle" nuk i deshi këto personazhe. Janë shumë, nuk hynë as në dy e as në dyzet vëllime. Duhet të jenë për libër tjetër, i atij lloji për të cilin ndaloi përdorimin e vetes Bianca, me shpresën e pandriçuar se po të mos hynte në letërsi do të mund të fshehte turpin, të vërtetën, veten, njeriun -cilado që ishte më e dhimbshme.

3.

Antoni Gaudi, arkitekti, si fëmijë kishte ethe reumatike që më vonë do të zhvilloheshin në gjendje konsistence reumatizmi. Kur familja Mila - një ndërmarrës ndërtimi, bashkëshortja e tij me para të trashëguara nga burri i saj i parë i pasuruar në Amerikë e i varrosur në Barcelonë, dhe një qen - porositën një shtëpi në Passeig de Gracia, arkitekti do të mbështetej në dhimbje. Dhimbjet reumatike e kishin shtyrë ta kuptonte trupin, e nëpërmjet trupit kishte kuptuar baraspeshat natyrore dhe nëpërmjet tyre, për shembull, shpërndarjen e peshës së shtyllave të tavanit. Dhe, sikundër që një bosht kurrizor me brinjë mban shpërndarjen harmonike të peshës në trup, ashtu një bosht kurrizor me brinjë do të mbante një kulm të ndërlikuar të një godine të ndërlikuar, ku edhe dorezat e derës i ishin përshtatur anatomisë trupore.

Casa Mila hyri në listën e UNESCO-s si trashëgimi kulturore botërore, e Gaudi qe thelluar në mendime ditën kur do ta shkelte tramvaji, ta linte të lënduar rëndë afër shinave, të pa ndihmuar nga taksistët lokalë, të cilët nuk besonin se plaku leckaman kishte para për ta paguar vozitjen deri në spital, dhe pas disa ditësh të përshëndetur nga gjysma e qytetit të Barcelonës në kortezhin e gjatë funeral që do të ishte manifestim kundërthënës, siç janë fundja të gjitha varrimet, i kremtimit në vdekje të artistit që ndërtoi në përpjekje të imitimit të gjallërisë së njeriut.

4.

Marina më tha njëherë se kujtojmë vetëm atë që nuk ndodhi kurrë.

(Fjalia e parë e një libri të dobët të autorit Carlos Ruiz Zafon, "Marina", dëshmi se ndonëse fillimi i mirë nuk duhet të zhvillohet a përfundojë mirë, me pak dashamirësi mund të kualifikohet për një kategori tjetër, të atyre gjërave që kanë mundur të jenë të bukura deri në fund, por u ka munguar përkushtimi, dashuria, a dreqi e di çka tjetër për t‘u bërë të tilla).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›